English

Obama: Plan ambicioz për shkurtimin e shpenzimeve

Uashington, 18 gusht 2011, NOA - Në përfundim të një turneu tre-ditor me autobus në shtetet e rëndësishme qendrore, Presidenti Barack Obama deklaroi se ai do të propozojë që një komision bipartizan i Kongresit të bëjë shkurtime shtesë të shpenzimeve prej 1.5 trilion dollarësh në buxhetin e vendit, që ishte synim i kompromisit të fundit mbi borxhin dhe defiçitin.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson thotë se presidenti amerikan shfrytëzoi takimet me banorët në bashkinë e qytetit Atkinson dhe Alpha në shtetin e tij Illinois për t’i dhënë shtytje mesazhit drejtuar votuesve gjatë turneut në shtetet qendrore.

Presidenti foli për një sistem të çalë politik në Uashington, fajësoi republikanët për rezistencë ndaj arritjes së një kompromisi më të gjerë për borxhin dhe defiçitin, dhe u bëri thirrje amerikanëve të shtojnë presionin mbi të gjithë anëtarët e Kongresit.

“Nuk ka asgjë të keqe me vendin tonë tani. Ka një problem me politikën tonë”, tha zoti Obama.

Ndërkohë, kandidatët republikanë për president kanë shtuar kritikat e tyre ndaj presidentit, duke përfshirë edhe kryesuesit e garës republikane, ish-guvernatorin e Massachusetts Mitt Romney, dhe guvernatorin e Teksasit Rick Perry.

“Ai dhe miqtë e tij akademikë dhe politikë nuk e kuptojnë se çfarë i duhet ekonomisë”, tha ish-guvernatori Romney.

“Zoti President, kriza e Amerikës nuk është fat i keq, por është rezultat i politikave të gabuara të Uashingtonit”, tha guvernatori Perry.

Kandidatët republikanë dhe republikanët në Kongres e kanë kritikuar zotin Obama për mungesën e një plani të veçantë për uljen e papunësisë që ka arritur në kuotën 9 përqind. Por kjo do të ndryshojë në fillim të shtatorit.

Presidenti Obama do të mbajë një fjalim të rëndësishëm politik pas pushimeve me rastin e Ditës së Punës, në të cilin ai do të nxjerrë propozime specifike për forcimin e rimëkëmbjes ekonomike, duke përfshirë nismat për krijimin e vendeve të punës, projektet e infrastrukturës, dhe propozimet për çështjen e taksave.

Nga Illinois presidenti e bëri të qartë se ai synon të propozojë një plan më ambicioz për shkurtimin e shpenzimeve që do të shqyrtohet nga një komision dypartiak i Kongresit i cili duhet të japë rekomandimet e tij në nëntor.

“Kur komisioni do të fillojë punën unë do të paraqes një plan për reduktimin e defiçitit që do të tejkalojë shumën prej 1,5 trilion dollarësh që është arritur me kompromis”, precizoi Presidenti.

Republikanët kanë parashikuar se fjalimi i zotit Obama në shtator do të jetë pak a shumë një ripërsëritje e propozimeve ekzistuese.

Një zëdhënës i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër tha se vendi ka nevojë për një plan e jo një tjetër fjalim.

Por ka edhe shenja të qarta se udhëheqësit republikanë i njohin efektet e mundshme negative nga një vazhdimësi e grindjeve politike me presidentin Obama dhe demokratët.

një rekomandim drejtuar republikanëve të Kongresit, udhëheqësi i shumicës Eric Cantor tha se ata duhet të shmangin shtyrjen e arritjes së kompromiseve, të punojnë për të minimizuar pasiguritë e panevojshme dhe kërkoi mbështetje për të ashtuquajturin “Super Komision” të kongresit.

VOA/NOA

KOMENTE