English

Ramush Haradinaj, një rrugëtim i gjatë... (VIDEO)

Në Tribunalin e Hagës ka nisur gjykimi i pjesshëm kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Tre të akuzuarit ishin liruar më 3 prill të vitit 2008 nga Tribunali, nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Lah Brahimaj ishte i vetmi që ishte dënuar me 6 vjet burgim për shkeljen e zakoneve të luftës.

261

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Luftë në ish-Jugosllavi ka nisur rigjykimin e pjesshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Lah Brahimaj e Idriz Balaj.

Dhoma ju shpall juve, zoti Haradinaj, të pafajshëm. Andaj dhe ju liron nga të gjitha akuzat e padisë ndaj jush.

Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Dukagjinit dhe dy ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së pason një vendim të Tribunalit të Hagës të lëshuar në korrik të vitit të kaluar.

Me vendimin në fjalë kërkohej rigjykimi i pjesshëm për shkak të kërkesës së Prokurorisë për pranimin e transkripteve të dëshmive me shkrim të 14 dëshmitarëve në vend të dëshmive gojore.

Më 3 prill të 2008-ës, procesi gjyqësor ndaj Haradinajt pat rezultuar me heqjen e të gjitha akuzave ndaj tij.

Alfons Orie

“Dhoma ju shpall juve, zoti Haradinaj, të pafajshëm. Andaj dhe ju liron nga të gjitha akuzat e padisë ndaj jush. Dhoma urdhëron që ju të liroheni menjëherë nga njësia për burgim e Kombeve të Bashkuara”, e pati lexuar vendimin e Tribunalit, gjykatësi Alfons Orie.

Në fakt, Tribunali pati hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit kundër tre të akuzuarve.

Lah Brahimaj atëbotë ishte dënuar me gjashtë vjet burgim për shkeljen e zakoneve të luftës.

Padia e Tribunalit të Hagës e lëshuar më 2005 me akuzat për vrasje dhe torturimin e civilëve gjatë periudhës 1 mars- 31 shtator të vitit 1998 në Kosovë, bëri që Haradinaj të jepte dorëheqje me datën 8 mars nga posti i kryeministrit.

“Jam krejt i pafajshëm. Sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit, ndërsa unë udhëtoj nesër për në Hagë; po marr pak pushim për të vazhduar rrugën, për të ndërtuar shtetin dhe pavarësinë e Kosovës”, pat theksuar ai.

Pas lirimit nga të gjitha akuzat Haradinaj u pat kthyer në Kosovë ku, gjatë një fjalimi të cilin mediat lokale e patën transmetuar drejt për drejt ai deklaroi:

“Jam i gëzuar që jam në Kosovë, që jam në familje dhe që jam në mesin e juaj-aty ku e kam vendin edhe unë, por aty ku të gjithë ne e ndjejmë si vendin tonë”, pati thënë Haradinaj i cili gjatë muajve në vijim do të kthehej sërish në postin e kreut të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në krye të së cilës ishte edhe brenda 100 ditëve kur po udhëhiqte vendin si kryeministër.

Jam i gëzuar që jam në Kosovë, që jam në familje dhe që jam në mesin e juaj-aty ku e kam vendin edhe unë, por aty ku të gjithë ne e ndjejmë si vendin tonë.

Mirëpo, “gëzimi” që Haradinaj pati në momentin e kthimit në Kosovë duket se do të zgjaste vetëm deri në korrik të vitit të kaluar kur ai u kthye sërish në Hagë për të rinisur një proces për të cilin kishte menduar se ka përfunduar.

Procesi i rigjykimit të Haradinajt është i pari i kësaj natyre të cilin Tribunali i Hagës po zhvillon që nga themelimi i këtij mekanizmi në vitin 1993. Rigjykimi aktual bëhet për shkak se, siç thuhej, gjykimi origjinal kishte qenë i dëmtuar nga frikësimi i dëshmitarëve.

Mbajtja në paraburgim që nga viti i kaluar dhe procesi i rigjykimit në tërësi i tij u vunë në qendër të kritikave edhe në debatet e ekspertëve ndërkombëtar të drejtësisë.

Ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës për rigjykim pat reaguar edhe qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, duke shprehur keqardhje për vendimin, por njëkohësisht duke shprehur bindjen në pafajësinë e zotit Haradinaj.

Në fund të muajit maj të këtij viti, edhe Kuvendi i Kosovës, i pati bërë thirrje Tribunalit të Hagës ta përshpejtojë rigjykimin e pjesshëm, duke vlerësuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

Aktvendimi përfundimtar në këtë proces të rinisur në Hagë mund të zgjasë disa muaj.

KOMENTE