English

Thaçi: Kontrolli i kufirit nga pala kosovare, garanci për integritetin territorial

Prishtinë, 18 gusht 2011, NOA- Gjatë një vizite të ditës së sotme në bizneset e komunës së Gjilanit kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se për herë të parë në historinë e vendit pikat kufitare në pjesën që kufizohet me Serbinë janë nën kontrollin e djemve dhe vajzave kosovare.

Pikat kufitare në veri të Kosovës janë nën kontroll dhe atje nuk ka kontrabandë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi duke theksuar se kontrolli nga ana e palës kosovare garanton integritetin territorial të vendit.

Më tej ai shtoi se marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it do të respektohet me përpikëri dhe se reciprociteti po vazhdon të respektohet dhe nuk ka asnjë dilemë se kjo çështje do të vazhdohet.

“Këto dy pika kufitare tanimë janë zona të kufizuara ushtarake dhe tanimë atje vlejnë rregullat ushtarake. Do të vazhdohet me implementimin e plotë të axhendës së planifikuar të respektimit të masave të reciprocitetit dhe në atë çështje nuk do të ketë asnjë dilemë, asnjë pikëpyetje se a do të respektohet apo jo. Në anën tjetër dëshiroj të theksoj se përpos kuptimin e angazhimit të kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, më lejoni të theksoj se vendimi i 25 korrikut për marrjen në kontroll nga forcat e Kosovës të vijës kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë po ndodh përherë të parë pas 12 viteve”, u shpreh Thaçi.

a.y/NOA

KOMENTE