Minutë pas minute
Korçë, 18 Gusht 2011 NOA/ Alba Filipi – Superkupa e Shqipërisë fitohet nga Tirana, duke mundur ekipin e Skënderbeut pas një goli të vetëm që u shënua pjesën e dytë të ndeshjes nga Bekim Bala.
Ndeshja u shoqërua nga një varg incidentesh dhe momentalisht policia po përpiqet të mbajë nën kontroll situatën.
Gjithçka nisi një orë para 20.00 kur ishte lajmëruar të niste ndeshja Skënderbeu-Tirana.
Disa qindra tifozë të mbërritur nga Tirana, donin të uleshin në ndenjëset e tribunës C por policia ngurroi t’ua plotësonte dëshirën, kjo pasi në të njëjtën tribunë dhe pranë saj gjendeshin tifozët e Korçës.
Të pakënaqur nga fakti se nuk po sistemoheshin në stadium, tifozët e Tiranës kanë protestuar dhe thirrjes së tyre iu bashkia ekipi i Tiranës i cili edhe pse doli në fushë në 20.00, refuzoi të niste ndeshja.
Pasi kaloi plot një orë, dhe me negocimin e presidentit të Skënderbeut dhe atij të Tiranës, u arrit që tifozët e Tiranës të ulen në tribunën C.
Por kur ndeshja kishte vetëm 12 minuta që kishte nisur, u rikthye situata kaotike. Disa tifozë që u identifikuan të ishin të Tiranës, hodhën përgjatë tribunës dhe fushës, fishekzjarrë dhe deri gaz lotsjellës dhe shashka tymuese.
Në këto momente gjakrat u nxehën dhe një numër tifozësh të Korçës u futën në fushë e pas tyre edhe disa të Tiranës.
Konfrontimi degjeneroi deri në lëndimin e të paktën shtatë tifozëve, mbështetës të të dy ekipeve.
Ndeshja u arrit të rifillohej, por këtë radhë policia u tregua më e prerë dhe nxori jashtë gjithë të tifozët e Tiranës që arriti të identifikojë.
Deri në përfundim të ndeshjes, policia i mbajti larg këta tifozë, disa dhjetëra metra nga stadiumi.
a.f/e.t/NOA