Bulqizë, 19 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Edhe pas vendimit të Gjykatës së Dibrës për nxjerrjen jashtë minierës së Bulqizës të minatorëve të ngujuar në grevën e urisë, minatorët kundërshtojnë duke bllokuar minierën.
Gjykata e Dibrës vendosi dje pranimin e kërkesës së METE-s, dhe lejimin e specialistëve të minierave të hyjnë e të marrin masat për eliminimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e minatorëve në minierë si dhe nxjerrjen jashtë të minatorëve grevistë nga ambjentet e minierës së Bulqizës, ku janë ngujuar prej 26 ditësh.
Por, vendimi i gjykatës i nxehu edhe më tej minatorët e ngujuar dhe kolegët që i mbështesin nga jashtë minierës, të cilët kanë zaptuar hyrjen e minierës në përpjekje për të mos lejuar forcat e policisë t’i nxjerrin me forcë grevistët e urisë.
Vetëm katër ditë i ndan nga një muaj ngujim dhe minatorët e Bulqizës mbeten të vendosur për të vazhduar grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga kompania koncesionare ACR.
Kjo e fundit bëri me dije një ditë më parë se është gati të firmosë një akt mirëkuptimi me minatorët ku përfshihen plotësimi i kërkesave për rritjen e pagës me 20 përqind dhe një sërë investimesh për përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë.
Ende nuk dihet se kur do të nënshkruhet marrëveshja që ACR thotë se e ka gati, një akt i cili do t’i jepte fund agonisë së minatorëve të ngujuar prej 26 ditësh në grevë urie.
Ndërkohë nuk dihet ende se si do të procedojë policia pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Dibrës ku uniformave blu u kërkohej të ndërhyjnë e të nxjerrin jashtë minatorët.
Por, një ndërhyrje e tillë do të ashpërsonte edhe më tej protestën pas kaq kohësh pritje të minatorëve.
Pas pranimit të kërkesës nga gjykata METE i kërkoi policisë të zbatojë ligjin për mbrojtjen e jetës së minatorëve dhe interesave pasurore të shtetit në Minierën e Bulqizës.
Pak ditë më parë RISHM-i bëri me dije se ndërprerja e punës në minierë për shkak të grevës së urisë ka krijuar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e grevistëve, ndërkohë që edhe shtetit shqiptar i shkaktohen dëme të pallogaritshme ekonomike dhe financiare.
a.y/mit/NOA