English

Jahjaga me pushime në brigjet e Vlorës, takon Berishën

Vlorë, 19 gusht 2011, NOA – Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila po pushon në bregdetin e Vlorës është takuar dje me kryeministrin Sali Berisha në rezidencën qeveritare të Vlorës, ku zonja e parë e Kosovës po kalon disa ditë pushimesh.

Zoti Berisha i uroi përzemërsisht mirëseardhjen në brigjet e bukura të Vlorës Presidentes Jahjaga, duke shprehur kënaqësinë që po takohej me të në këto ditë pushimi.

Shefi i qeverisë vlerësoi rolin e presidentes Jahjaga në rritjen dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

Sipas tij progresi i gjithanshëm i Kosovës, funksionimi i shtetit ligjor dhe institucional kanë bërë që Kosova gjithnjë e më shumë të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, mirëkuptimi e integrimi rajonal.

Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi vendosmërinë e autoriteteve të qeverisë së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe të rendit kushtetues në të gjithë territorin e saj.

Nga ana e saj Presidentja e Kosovës e falenderoi Kryeministrin Berisha për të gjithë mbështetjen që ai i ka dhënë dhe i jep Kosovës.

Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin politik dhe në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës, për përpjekjen e përbashkët në njohjen e mëtejshme dhe konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE