English

Mesazhi i ODHIR- it

Nga Eglantina Gjermeni

Këto ditë të nxehta gushti raporti përfundimtar i ODIHR riktheu sërish debatin për zgjedhjet lokale të 8 majit. Jo se nuk është diskutuar mjaft për to, por dukej se vendin kryesorë në media këto kohë e kishin zënë numri i lartë i krimit në përgjithësi, krimit në familje në veçanti dhe numrit tepër të lartë të aksidenteve.

Kemi kaq shumë halle dhe probleme, me të cilat duhet të merremi dhe sërish i rikthehemi të drejtës së votës, standardeve demokratike të një shoqërie që ka kohë që është në krizë duke shpresuar se vendosja e standardeve demokratike përbën bazën e një shoqërie humane, sociale dhe përfshirëse.

Raporti i ODHIR-it konfirmon se në zgjedhjet e 8 majit nuk u arritën standardet demokratike të një vendi anëtar të NATO-s dhe të një vendi që aspiron t’i bashkohet Komunitetit Europian. Besoj se kjo është esenca e këtij raporti që vërtetë në këto 20 vite, është më i drejtpërdrejti, më i qarti dhe më transparenti.

Vetë raporti shënon një standard për mënyrën profesionale të vlerësimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Veç kësaj, raporti ofron një platformë pune konkrete për të gjitha forcat politike, institucionet dhe aktorët e tjerë të shoqërisë shqiptare. Gjithçka e shprehur në të duhet të nxisë një moment reflektimi dhe përgjegjësie të drejtpërdrejtë në radhë të parë për qeverinë shqiptare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si institucionet kryesore për realizimin e zgjedhjeve.

Reflektimi për procesin zgjedhor (dhe për më tepër atë paszgjedhor) kërkon jo vetëm vullnet politik dhe angazhim të të gjitha forcave politike, një dialog në interes të vendit (aq shumë kërkuar dhe sugjeruar nga të gjithë ndërkombëtarët, por edhe i domosdoshëm për situatën, në të cilën ndodhet Shqipëria), por edhe bashkëpunim real, konkret në realizimin e reformave, duke përgatitur një proces zgjedhor të krahasueshëm me standardet demokratike të vendeve të Bashkimit Europian.

Nuk mund të ndodhë ndryshe në një vend, të cilit në 12 kriteret e sugjeruara nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, standardet demokratike të zgjedhjeve zënë një vend kryesor.

Përmes skanimit të procesit para dhe pas zgjedhjeve, të 8 majit 2011, raporti nxjerr në pah të gjitha shqetësimet e ngritura nga Partia Socialiste gjatë këtyre muajve të fundit. Shqetësimet nuk mund të jenë tjetër veçse, shqetësime reale, objektive, të prekshme edhe nga vetë qytetarët shqiptarë, si edhe të trajtuara gjerësisht nga media (sigurisht ajo media e pavarur që ka mbetur…)

Doja të theksoja këtu atë çka edhe në raport përmendet, rolin e pazëvendësueshëm të medias gjatë gjithë procesit zgjedhor. Falë mediave të pavarura u bë e mundur që qytetarët shqiptarë ndoqën hap pas hapi fushatën zgjedhore, procesin e zgjatur të numërimit, si edhe gjithë procesin e pabazuar në ligj të vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, finalizimin e këtij procesi të stërzgjatur e koklavitur ku Kolegji Zgjedhor “shpikte” mënyra ekstraligjore për të përcaktuar një kryetar bashkie “të ri” për Tiranën.

Duke qenë se ndoqa nga afër procesin së numërimit në Njësinë 5 në Tiranë, në KZAZ nr. 49, pata mundësinë të jem dëshmitare e numërimit, në të cilin kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Edi Rama, mori 4665 vota më shumë se sa kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ky rezultat mundësoi një fitore prej 10 votash më shumë në total për Edi Ramën, fitore e cila u ndoq nga shqiptarë e ndërkombëtarë aty në palestrën e shkollës “Vasil Shanto” apo edhe drejtpërdrejt përmes medias. Gjithçka që ndodhi më pas është diskutuar dhe kritikuar jo pak nga qytetarë, analistë, ambasadorë, institucione shqiptare apo të huaja.

Edhe ky raport hodhi më tepër dritë mbi këtë proces, duke i paraprirë qëndrimeve të Bashkimit Europian mbi zgjedhjet në Shqipëri, si edhe duke përcaktuar në njëfarë mënyre hapat që duhet të ndjekë Shqipëria për integrimin europian.

Për sa kohë raporti kritikon në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje, duke ofruar dhe sugjerime konkrete për adresimin e problemeve të vëna re gjatë zgjedhjeve, duhet pranuar se jemi akoma larg asaj që pritet nga Shqipëria për një anëtarësim të merituar në Bashkimin Europian.

Unë mendoj se është e rëndësishme që në demokraci dhe veçanërisht në momentet kur kjo demokraci është në kulmin e vet, pra në momentet e ushtrimit lirisht të vullnetit politik të qytetarëve, politika duhet t’u garantojë qytetarëve standarde sa më të larta të mundshme.

Qytetarëve, së pari, u duhet ofruar një fushatë elektorale ku secili të gëzojë lirinë e të menduarit edhe të qëndrimit ndryshe (kjo gjë nuk ndodhi për sa kohë pati presione tek punonjësit e administratës publike kryesisht ne arsim dhe shëndetësi), ku gjithkush të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës (sipas raporti të ODHIR) “mungesa e një regjistrimi dhe dokumenteve të identifikimit për komunitetin rom dhe egjiptian vazhdonin të mbeteshin një problem”, së dyti, transparencë të shpenzimeve financiare të qeverisë për fushatën elektorale, së treti, standarde edhe drejtësi në qendrat e numërimit të votës, së katërti, drejtësi, ligjshmëri edhe paanësi në institucionet e administrimit të zgjedhjeve, së fundi, por jo më pak nga rëndësia, siguri që vota nuk do të dekonspirohet edhe jo të shoqërohet me heqje nga puna (siç ndodh rëndom).

Shoqëritë në zhvillim (siç është edhe kjo e jona), që janë në konsolidim të vlerave të rëndësishme sociale, politike dhe demokratike, e kanë shumë të nevojshme edhe të domosdoshme krijimin e një mendësie të re në trajtimin e problemeve dhe situatave me të cilat përballemi.

Që demokracia të jetë efikase, që ajo të mbështesë nevojat, dëshirat edhe interesat e të gjithë qytetarëve gra edhe burra, që demokracia të jetë e pastër, kërkon barazi të drejtash, kërkon transparencë, kërkon përgjegjshmëri. Ajo që ndodhi në zgjedhjet lokale në Tiranë, realisht ka humbur ndjeshëm besimin e qytetarëve tek vota e lirë dhe tek institucionet.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për institucione që të mos shkelin ligjin për interes të kryeministrit apo pushtetit, që të mos dhunojnë votën publikisht, të mos tallen e deformojnë drejtësinë, por për institucione që ngjallin besim dhe shpresë për të ardhmen e saj europiane. Shqiptarët kanë kohë që e kërkojnë edhe besoj se e meritojnë më shumë se kurrë këtë gjë.

KOMENTE