English

Përplasjet në superkupën Skënderbeu-Tirana, ndiqen penalisht 4 tifozë korçarë

Korçë, 19 gusht 2011, NOA – Pas përplasjeve të mbrëmshme mes tifozëve korçarë dhe atyre të Tiranës në ndeshjen e superkupës së Shqipërisë e fituar nga Tirana 0-1, policia e Korçës po ndjek penalisht katër tifozë korçarë.

Sipas policisë janë ndaluar Theodhoraq Çipi, 33 vjeç, banues në Lagjen nr. 14 Korçë; Sonil Jovan, 29 vjeç, banues në Lagjen nr.13 në Korçë; Nandi Firaj, 39 vjeç, banues në fshatin Drenovë dhe Elvis Lera, 28 vjeç, banues në Lagjen nr. 3 në qytetin e Korçës.

Katër shtetasit u ndaluan për shkak se dje gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Skënderbeu-Tirana në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës kanë prishur rendin dhe qetësinë publike, duke hedhur sende të forta si bidona plastikë, gurrë e fishekzjarre ndaj tifozëve të Tiranës.

Blutë e Korçës po punojnë ende për identifikimin dhe shoqërimin e disa personave të tjerë, të cilët kanë shkaktuar probleme për qytetarët duke prishur rendin publik.

katër personat janë nën akuzë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Përplasjet e mbrëmshme ndodhën që në fillim të ndeshjes, kur Superkupa e Shqipërisë, e fituar për të nëntën herë nga Tirana, nisi rreth një orë me vonesë për shkak se tifozët e Tiranës nuk po lejoheshin të hynin në stadium.

Mandej përplasjet mes tifozerisë së të dyja skuadrave vijuan duke çuar në një bilanc prej 10 tifozësh të plagosur dhe rreth 20 të tjerë të ndaluar.

mit/NOA

KOMENTE