Nga Arbër Zaimi
Është interesant se si ca prej nesh janë aq të trembur nga solidariteti ndërqytetar, sa që edhe në rastin kur dikush bën detyrën e ndihmon tjetrin, e shohin me mosbesim dhe përpiqen të gjejnë arsyet apo përfitimet që ndajnë palët. Kështu, në rastin e grevës së minatorëve në Bulqizë, sërish duke gjykuar me parametrat e paranojës së përgjithshme, pati nga ata që thanë “ç’do aty sindikata”, duke nëkuptuar që në një konflikt mes dy palëve, kompanisë dhe minatorëve, le të përballen vetë e le të negociojnë me njëri-tjetrin, pa ndërmjetës të tjerë. Kjo logjikë natyrisht që çalon, pasi të qenët pjesë e një shoqërie nënkupton pikërisht shqetësimin politik për këdo, e kudo. Ata që propagandojnë këtë lloj “paanësie” të tërhequr, në fakt vetëm sa i bëjnë një shërbim firmës, e cila natyrisht që ka kapacitete ekonomike, njerëzore e politike për të mbizotëruar çdo ballafaqim të drejtpërdrejtë me ca individë që tek e fundit, janë rrogëtarë të sajët. Në konfliktin në fjalë jo vetëm sindikatat, po duhet të përfshihej edhe shoqëria civile, edhe partitë politike, në ndihmë të minatorëve kuptohet – në mënyrë që të mbizotërojë e drejta e një kolektivi (vini re, jo individ por kolektiv) që punon, sepse kjo do të qe e vetmja mënyrë për të hedhur hapa drejt të qenit një shoqëri e zhvilluar.
Thashethemet për përdorjen politike të minatorëve nga ndonjë sindikalist komplotist janë edhe më të pakuptimta. A thua se 30 minatorët që kanë vdekur në vitet e fundit, e kanë humbur jetën për faj të sindikatave e për faj të mbështetjes politike, e jo për faj të firmave konçesionare që operojnë në Shqipëri si në një “no man’s land”, vjelin produktin edhe nuk investojnë në zhvillim kapacitetesh apo përmirësim kushtesh. E jo vetëm kaq, po bëjnë dhe “free shopping”, e shesin atë produkt te një kompani “mike” për fare pak para – duke evituar taksat në Shqipëri, e pastaj e shesin me çmim real në tregjet e botës.
Obsesionimi me ambiciet politike të atyre që mbështesin një çështje të drejtë është në fakt një tjetër dështim logjik, është bashkim me palën e shtypësve dhe shkelësve, është refuzim për të parë problemin ashtu siç është dhe aq i zi sa paraqitet me pretendimin e të qenit “distant”, “apolitik” apo “i paanshëm”. Harrohet se të qenit i paanshëm në momentin kur dikush po dhunon dikë, përbën krim në vetvete. Pavarësisht elokuencës së justifikimeve, pavarësisht teorive të komplotit.
Gazeta “Shekulli”