English

Tensionohet situata në minierën e Bulqizës, banorët pengojnë përmbaruesit

Bulqizë, 19 gusht 2011, NOA – Situata në minierën e Bulqizës është tensionuar në orët e drekës kur përfaqësuesit e Përmbarimit nuk janë lejuar nga banorët e zonës të hyjnë në minierë për të nxjerrë me forcë nga aty minatorët e ngujuar prej 26 ditësh.

Janë qindra banorë të Bulqizës dhe familjarë të minatorëve që janë vërsulur në hyrje të minierës për të bllokuar futjen e forcave të policisë që kanë mbërritur për të zbatuar urdhrin e Gjykatës së Dibrës e nxjerrë jashtë grevistët.

14 minatorët e ngujuar në grevë urie këmbëngulin të vazhdojnë grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë ata kërcënuan se në rast të hyrjes me forcë të efektivëve të policisë ata do të hapin tërë tubacionet e ujit që do të pasonin përmbytjen e minierës dhe bashkë me të edhe të vetë minatorëve.

Duket se kjo ka çuar në tërheqjen e policisë.

Ndërkohë sot kompania koncensionare ACR bëri me dije se do të plotësojë kërkesat e minatorëve për rritjen e pagës me 20 përqind dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Administratori i ACR-së Giga Bedineishvili njoftoi se kompania është gati të nënshkruajë marrëveshjen për kërkesat e minatorëve me qëllim rikthimin e normalitetit në minierën e Bulqizës dhe rikthimin e minatorëve në punë.

mit/NOA

KOMENTE