English

Vasili: Reparti i djegie-plastikës investim bashkëkohor

E premte, 19 gusht 2011, NOA- Në një inspektim në ambientet e repartit të djegie-plastikës, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili së bashku me drejtorin e QSUT-së, Saimir Ivziku vlerësuan investimet e bëra në këtë sektor.

Mësohet se punimët si në bllokun operator ashtu edhe në të gjithë pavijonin po kryhen falë një grandi prej 950 milion eurosh të dhëna nga Komuniteti Evropian në kuadër të përballimit të Tragjedisë së Gërdecit nga ky shërbim.

Sakaq këtë investim ministri Vasili e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm pasi ai vjen pas shumë dekadash dhe do të sjellë një përmirësim të ndërhyrjeve kirurgjikale ku pacientët me dëmtime të rënda do të kenë deri në 70% të eliminimit të shenjave të djegies.

“Është i pari projekt që ne arrijmë ta realizojmë në mënyrë shumë të suksesshme me mbështetjen e një grandi nga Komisioni Evropian. Është në nivelin e një blloku ndërhyrjesh jo vetëm operatore por të të gjithë teknologjisë më të lartë që e vë këtë shërbim në parametra tërësisht bashkëkohorë, lidhur me sigurinë e jashtëzakonshme ndaj infeksioneve shoqëruese që është një nga problemet e mëdha në problematikat e djegie-plastikës. Njëkohësisht edhe i gjithë sistemi i furnizimit me gazra mjekësor dhe sistemi i kondicionimit dhe i sterilizimit është i standardit evropian”, deklaroi ministri Vasili duke shprehur garancinë për shërbime nga më të sigurtat dhe me shkallë të saktësisë shumë të lartë.

Nga ana e tij drejtori i QSUT-së e ka cilësuar këtë investim si më madhorët përgjatë këtyre viteve i cili sjell një nga ndryshimet rrënjësore të shërbimit.

Lidhur me këtë investim shefi i shërbimit të djegie-plastikës Gjergj Belba u shpreh se, “Ne do t'u shërbejmë pacientëve të djegur rëndë, me rezultate bashkëkohore, do të thotë të shpëtojmë 70 % të sipërfaqes së djegur, të ulim mortalitetin dhe njëkohësisht të kryejmë operacione plastike të nivelit më të lartë evropian”.

Por një tjetër lajm i mirë i dhënë nga ministri Vasili ishte edhe ai i mbërritjes së një aparature të dytë të rezonancës manjetike e cila pritet të instalohet gjatë këtyre ditëve në Spitalin e Urgjencës.

a.y/NOA

KOMENTE