E shtunë, 20 gusht 2011, NOA- Pas ndërprerjes së grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës, reagoi kompania ACR nëpërmjet përfaqësuesit të saj Giga Bedineshvil.
“Dalja nga miniera, është në shërbim të normalitetit, kompania është e kënaqur që minatorët dolën nga galeritë pa pësuar asnjë dëmtim”, deklaroi Bedineshvili.
Ndërkaq komisioni i grevës la të hapur mundësinë për vijimin e grevës së urisë në rast se kompania ACR nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen për plotësimin e kërkesave të minatorëve.
14 minatorët dolën mesditën e sotme nga ambientet e galerisë pas maratonës 27 ditore në ambientet e nëntokës së minierës.
Gjithsesi nuk dihet ende qëndrimi përfundimtar i tyre, ndërsa mendohet se greva do të rinisë të hënën nëse nuk përmbyllet marrëveshja me kompaninë ACR.
a.y/NOA