English

Bill Clinton: Jam kthyer në vegjetarian, dua të jetoj gjatë

Uashington, 20 gusht 2011, NOA/Arlinda Koçi – Ish-presidenti i SHBA-ve Bill Clinton ka hequr dorë nga disa ushqime, që po i dëmtonin shëndetin dhe është kthyer në një vegjetarian. Dieta e tij përmban fruta dhe perime me përmbajtje të lartë vitaminash, duke shmangur plotësisht konsumimin e produkteve të mishit, vezës, qumështin dhe vajin.

Kjo dietë po e bën ish-presidentin të ndihet më mirë se kurrë me shëndetin e tij.

Zoti Clinton, i cili tani është 65 vjeç, është shprehur se synon të fitojë peshën që ai ka patur kur ishte vetëm 13 vjeç.

Zyra e ish-presidentit amerikan bën me dije se ai ka vuajtur nga sëmundja e zemrës, pasi hante ushqime të thata hamburgerë apo biftekë, për shkak se punonte me orë të zgjatura në zyrën e tij.

Por, pasi vuri re se shëndeti rëndohej dhe nuk ishte në formën më të mirë, në vitin 2004, iu desh të korrigjonte dietën ushqimore, për të ulur sasinë e kolesterolit në gjak.

Vitin e shkuar, kur ish-presidenti Clinton iu nënshtrua një operacioni, iu desh të bënte ndryshime akoma edhe më të rrepta në dietën e tij.

Pas marrjes së këshillave nga dietologu amerikan, Dr. Dean Ornish, Clinton u paraqit në dasmën e të bijës Chelsea në muajin gusht, me një pamje elegante, pasi kishte humbur pothuajse plot 10 kilogram.

Vetë ish-Presidenti e ndau këtë arritje me mediat duke thënë për CNN-in se “kjo që unë mora përsipër të bëj, është një vendim që në të vërtetë po më bën të ndryshoj. Të gjitha analizat e mia të gjakut dhe shenjat e mia janë të mira”.

“Nuk e di nëse më besoni apo jo”, tha Clinton, duke shtuar se “unë ndjehem me shumë energji”.

Vendimi i Clinton mund të shpjegohet pjesërisht nga një intervistë e fundit, në të cilën ai është shprehur se do të donte të jetonte gjatë për të njohur nipërit dhe mbesat e tij.

“Unë kam shumë dëshirë, që një ditë, të jem një gjysh kapriçoz, duke u argëtuar në shtëpinë time me nipërit e mi”, është shprehur ish-presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

a.k/mit/NOA

KOMENTE