English

Enver Hoxhaj, shuplakë vendeve islame: Ndajmë të njëjtën fe, po na refuzoni njohjen

Prishtinë, 20 gusht 2011 NOA - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një intervistë për gazetën prestigjioze turke, “Zaman”, i ka bërë një mesazh-thirrje vendeve anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik, që të njohin pavarësinë e Kosovës duke dhënë një “shuplakë” për ato vende që shumë premtuan fillimisht dhe deri tani asgjë s’kanë bërë.

Ministri i Punëve të Jashtme tha se 81 shtete e kanë njohur Kosovën që nga shkurti i vitit 2008 dhe theksoi se janë vendet islame ato, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

“Ministri i cili viziton botën për njohjen e pavarësisë tha se po bëhen përpjekje të konsiderueshme për anëtarësimin në BE dhe OKB. Hoxhaj tha se investimet më të mëdha në Kosovë bëhen nga turqit dhe ai shprehu mirënjohjen ndaj turqve për këtë”, citon gazeta “Zaman”, Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Duke përmendur se më shumë se 20 vende nga 57 anëtarët e Organizatës për Kooperim Islamik nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ai ka thënë se “ne ndajmë të njëjtën fe dhe presim nga këto vende për ta njohur shtetin e Kosovës”.

Ndërkaq, duke shtuar se një nga përpjekjet më të mëdha është anëtarësimi në BE dhe OKB, Ministri Hoxhaj vuri në dukje se janë duke u bërë përpjekje për krijimin e marrëdhënieve të forta me këto organizata.

Hoxhaj tha po ashtu se pretendimi që Rusia dhe Kina (të cilët nuk kanë njohur pavarësinë), janë duke mbështetur Serbinë nuk reflekton realitetin, por se këto vende e mirëkuptojnë situatën e Kosovës së pavarur.

Ministri i Jashtëm i Kosovës tregoi se po mundohen të arrijnë çdo vend të botës për njohjen e pavarësisë se shtetit.

“Ne, po përpiqemi të shpjegojmë se çka do të thotë liria e Kosovës, duke vizituar vendet e ndryshme të botes”, ka thënë Ministri Enver Hoxhaj, në intervistën e dhënë për gazetën “Zaman”, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku ka marrë pjesë në takimin e Organizatës për Kooperim Islamik për Somalinë.

e.t/NOA

KOMENTE