Bratislava, 20 gusht, NOA - Ka një shtet në Evropë që ndoshta po kërkon t’i kthejë të gjithë romët në sterilë, në mënyrë që të pakësohet shtimi i popullatës së tyre në të ardhmen. Fjala është për Sllovakinë, e cila ka hartuar një projekt-hije të posaçëm për ta aplikuar ndaj komunitetit rom që jeton në territorin e saj. Siç bën me dije “Repubblica”, është pikërisht një projekt i ministrisë sllovake të Punës, drejtuar "shtresave më të varfra dhe më izoluara", i cili ofron një fushatë ndërgjegjësimi mbi kontracepsionin, sterilizimin.
Duke e ofruar këtë madje edhe falas, ka bërë që mediat e Bratislavës zyrtare të aludojnë me faktin se kjo e gjitha bëhet për të ushtruar presion ndaj komunitetit rom, për të mos shtuar më lindjet. Një atmosferë kjo aspak e pëlqyeshme, e cila po shoqërohet me komente kundërshtuese.
I cilësuar madje edhe si një skandal për shoqërinë sllovake, ai i referohet faktit se pas shprehjes delikate që ky projekt i ministrit të Punës do të aplikohet pikërisht tek "komunitetet më të varfra në vend”, do të ishte shumë më e lehtë të thuhej se ai do të shtrihej tek komuniteti rom, fëmijët e të cilit kanë një normë të vdekshmërisë dy herë më të lartë se te të tjerat dhe se jetëgjatësia është dhjetë vjet më pak, kjo falë standardit të jetesës i cili është pesë herë më i ulët se niveli mesatar.
Nga mediat sllovake, e gjitha kjo fushatë është lexuar me nëntekstin se qeveria luan me informacion mbi kontracepsionin duke ofruar sterilizim të lirë, “me qëllimin të bëjë shterpë gratë e komuniteteve rome”.
E gjitha kjo, nëse vërtet është menduar si e tillë, i ngjan një fushatë të egër gjenocidi.
Sllovakia, e cila fitoi pavarësinë nga Çekosllovakia në vitin 1993, dhe pastaj në vitin 2003 nënshkroi Traktatin e Aderimit në Bashkimin Evropian, arriti që në vitin 2004 të bëhej anëtare me të drejta të plota e tij.
n.e/NOA