Nga Mero Baze
Ish- zëvendëskryeministri Ilir Meta ka kërkuar zyrtarisht nga Garda e Republikës një mbrojtje speciale, pasi sipas tij ai ndjehet i kërcënuar fizikisht. Lajmin ia ka konfirmuar medies shqiptare dhe Policia e Shtetit. E rënda në këtë histori nuk është ndonjë rrezik real për jetën e ish-zëvendëskryeministrit, por impakti që shkakton një lajm i tillë në shoqërinë shqiptare.
Së pari në një vend të lirë demokratik, me shtet ligjor dhe siguri minimale, askujt nuk i shkon mendja të kërcënojë kryeministrin, zëvendësit e tij apo dhe ministrat. Në një shoqëri demokratike, politikanët kur bëhen të urryer ndërrohen me votë dhe askujt nuk i shkon mendja t’i kërcënojë apo t’i vrasë. Vrasjet politike në shoqëri të lira janë përjashtime që ndodhin vetëm nga devijime të çastit të personave dhe jo nga struktura të tilla që të guxojnë të kërcënojnë njerëzit me pushtet. Nëse kërcënimi është real, lajmi i parë nuk është kërcënimi, por ekzistenca e një shteti mafioz, ku dikush vendos t’i zgjidhë punët me shantazh ndaj një njeriu plot pushtet. Nëse jemi në këtë fazë, jemi realisht para një shteti të kërcënuar, më shumë se para një personi të kërcënuar si pjesë e këtij shteti.
Së dyti, lajmi është i keq dhe nga pikëpamja sociale, pasi po krijohet një klimë paranoje për jetën e udhëheqësve, që është një klimë tipike që e krijojnë vetëm regjimet. Jetojmë në një vend ku kryeministri shëtit me antiplumb, Benz të blinduar, bllokon rrugën e shtëpisë me roje, fsheh fëmijët nga publiku, dhe çdo ditë flet për njerëz që duan të vrasin, dhe kur këta janë adoleshentë 18 vjeçarë, të cilët kanë lindur kur ai ka qenë në pushtet dhe po kalojnë 20 vite me të. Pastaj del lajmi tjetër se dhe numri 2 i pushtetit është i rrezikuar. Dikush thotë e ka nga një pazar pallati, dikush nga një pazar KESH-i, dikush nga një pazar kontrate në Ministri të Ekonomisë, por rëndësi ka që dhe ky qenka i kërcënuar. Kjo klimë paranojake e regjimit natyrisht që lë gjurmët e saj në shoqëri. Jo se shqiptarëve u vjen keq mos ua vrasin udhëheqësit, por u vjen keq që jetojnë në një shoqëri ku të gjithë janë të pasigurt, përfshi dhe ata që i qeverisin.
Por aspekti më dhunues i këtij lajmi është fakti që bëhet i ditur vetëm kërcënimi dhe jo kërcënuesi. Sot shkenca kriminalistike ka ecur deri në atë shkallë sa nëse kemi të bëjmë me një kërcënim serioz me sms apo telefon, të identifikohet për çështje minutash agresori. Në rastin e Ilir Metës është bërë publike vetëm kërcënimi dhe jo kërcënuesi. Kjo është një dhunë e shëmtuar mbi opinionin publik, pasi në një farë mënyre kërkon tu japë mesazh qytetarëve se të gjithë janë të pasigurt, derisa policia nuk gjen dot as kërcënuesin e Ilir Metës. E gjithë kjo të lë një shije të hidhur po të kesh parasysh se në këtë vend po kthehet në strategji krimi pa autor, i cili në vetvete është një dhunë e ndyrë mbi shoqërinë. Këtu vritet një deputet, qoftë për arsye politike apo ordinere dhe vrasësi as gjendet, as identifikohet. Vritet një kryetar komune dhe meqë i përket opozitës as atij nuk i gjendet vrasësi. Tashmë kërcënohet, nëse është e vërtetë, numri 2 i pushtetit dhe nuk identifikohet kërcënuesi. Kjo e gjitha krijon një klimë terrori mbi shoqërinë, duke inkurajuar botën e krimit. Në rastin konkret, nëse ka një kërcënim, unë jam i bindur se ka dhe një dosje për kërcënuesin, por qeveria nuk e bën publike pasi mund t’i kushtojë më shumë se sa jeta e Ilir Metës. Nëse ka kërcënim, ka një kërcënues, i cili nëse kapet mund të dëshmojë gjëra më të rënda, që në vend që të shpëtojë jetën e Ilir Metës, shkurton jetën e qeverisë. Për këtë arsye jemi në situatën e kërcënimit pa autor, të një figure kyçe të pushteti, pa të cilën qeveria rrëzohet për 24 orë. Nëse ka një kërcënim, ka një kërcënues, por ai tremb mbijetesën e qeverisë më shumë se jetën e Ilir Metës. Dhe e gjithë kjo na kthen në situatën e një qeverie peng, të shantazhuar dhe të pafuqishme për tu përballur me partnerët e saj në botën e mafies. Por nëse nuk ka një kërcënim, pra rrjedhimisht nuk ka asnjë kërcënues, ne kemi një figurë kyçe të pushtetit, që njësoj si kryeministri vuan nga ideja se dikush duhet t’i vrasë për ato që kanë bërë, për mënyrën si kanë qeverisur. Sindroma e vrasjes me atentat është një sëmundje që kap çdo regjim kur ai degradon. Në qoftë kështu, lajm i mirë është lajmi që nuk ekziston kërcënimi për jetën që fle në mendjen e Sali Berishës dhe Ilir Metës.