English

Komuna e fundit voton nesër. KQZ: Jemi gati

E shtunë, 20 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Dita e nesërme pritet të jetë dhe dita e fundit ku edhe ata qytetarë të cilët kanë ngelur pa votuar, do të shprehin vullnetin e tyre.

Do të jetë komuna e Shalës në Shkodër ajo që do të flasë e fundit, për zgjedhjet lokale të nisura më 8 maj dhe që sipas gjasave pritet të përfundojnë nesër.

Në 5 qendra votimi banorët e kësaj komune do të drejtohen duke filluar nga ora 07.00 e mëngjesit të nesërm për të shprehur vullnetin e tyre.

Lidhur me këtë votim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve foli sot nën zërin e zëdhënësit të tij, Leonard Olli.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në 5 qendrat e votimit në komunën e Shalës në Shkodër. Komisioni Qendror i ka tashmë edhe emrat e përfaqësuesve të opozitës për KZAZ-të e komunës, pasi ata i kanë dërguar emrat e tyre në komisionin përkatës dhe se gjithçka është gati për zhvillimin e procesit zgjedhor”, deklaroi Olli.

Më tej ai tha se qendrat e votimit ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme do të hapen në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19.00, duke theksuar se në gatishmëri do të jenë edhe forcat e policisë të cilat do të garantojnë qetësinë dhe rendin gjatë kohës së votimeve.

Zgjedhjet në komunën Shalë përsëriten për të tretën herë, pasi më 8 maj ato nuk u zhvilluan fare, ndërsa në përsëritjen e tyre më 31 korrik, votimi u anulua për shkak se materialet zgjedhore mbërritën gjashtë orë me vonesë nga orari zyrtar.

Por krahas kësaj, në qendrat e votimit të kësaj komune, komisionerët e KZAZ-së së Shkodrës e argumentuan anulimin e procesit, me faktin se komisionerët nuk plotësonin kriteret.

a.y/NOA

KOMENTE