Gjirokastër, 20 gusht 2011, NOA – Një punonjës policie i drejtorisë kufitare të Gjirokastrës ra në pranga pasi kultivonte në bahçen e shtëpisë së tij në Libohovë të Gjirokastrës, bimë narkotike Kanabis Sativa.
Polici Pëllumb Isufati u arrestua pasi efektivët e antidrogës zbuluan në bahçen e shtëpisë së tij, tre metra larg banesës një serë të mbuluar me plasmas ku ishin kultivuar rreth 35 rrënjë bimë Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 170-190 centimetra të larta.
Gjithashtu gjatë kontrollit në parcelën pronë e Isufatit, policia zbuloi në mes të misrit edhe disa rrënjë të tjera Kanabis Sativa, të larta nga 190-230 centimetra.
Operacioni i bluve të Gjirokastrës në shtëpinë e kolegut Pëllumb Isufati erdhi pas informacioneve që policia kishte mbledhur në rrugë operative.
Gjatë operacionit policor antikanabis i koduar “Sera” efektivët e policisë asgjësuan me djegie bimët narkotike si dhe arrestuan kultivuesin e tyre Pëllumb Isufati.
45-vjeçari Pëllum Isufati, lindur dhe banues në qytetin e Libohovës punon si punonjës Policie në Stacionin e Policisë Kufitare Sopik, pranë Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionion në Gjirokastër.
Ai është pezulluar menjëherë nga detyra dhe është vënë nën akuzë për kultivimin e bimëve narkotike.
mit/NOA