English

Legjitimimi i krimit dhe standardizimi i mashtrimit

Amerikanët, gjermanët, anglezët dhe musketieri Fitu po e kundërshtojnë këtë status. Pyetja është, deri kur dhe deri në ç’masë? Edhe Hashimi, vetë i 40-i po e kundërshton. Pyetja është sikur ajo për ndërkombëtarët; deri kur dhe deri në ç’masë?

Nga Behxhet Sh. Shala

Krimi si domosdoshmëri taktike, për qëllime strategjike: Serbia ende po e konsideron Kosovën si pjesë të saj apo “ krahinë jugore “ e Serbisë. I ka caktuar “vijat e kuqe” në” mbrojtje “ të interesit shtetëror serb dhe Kushtetutës së saj. Retorikën e ka shumë të fort kur flet për Kosovën. Shumë shpesh edhe shantazhon ndërkombëtarët duke kërcënuar se do ta sakrifikojnë integrimin në BE në rast se kushtëzohet me Kosovën. Ka formuar struktura kriminale në veri të Kosovës të cilat refuzojnë integrimin si dhe institucionet e Kosovës ndërsa këto struktura në brendi të Kosovës i ka “pacifikuar” duke i bërë “luajale” ndaj autoriteteve kosovare. Dikur ishin “luajalë” edhe Oliver Ivanoviqi dhe Rangjel Nojkiqi, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, Goran Bogdanoviq si zëvendësministër, Todoroviqi si ministër e shumë të tjerë. Edhe Milija Millosheviq ishte “lojal” në Policinë e Kosovës deri në kohën kur u detyrua të kthehet në vendin e tij të vërtet të punës, në MUP-in e Serbisë. Ikonografija serbe e kohës së Millosheviqit është legalizuar në Kosovë. Në Kuvendin e Komunës në Shtërpcë, me “ krenari” valon flamuri i Serbisë. Ate të Kosovës e keni 50 km. larg Shtërpces, në hyrje të Prishtinës. Flamujt serb, me shumicë valojnë në të gjitha komunat e decentralizuara ( spastruara nga shqiptarët ) serbe. Këto komuna gjeografikisht janë brenda kufijve të Kosovës. Edha radikalka e “ demokratizuar “, Rada Trajkoviq nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, i shërben Serbisë ndërkaq që në Kuvendin e shtetit që nuk e njeh i merr nja 2500 euro të buta. Ky është shpërblim për lojalitet. Ikonografija serbe është është një armë e” fortë” me të cilën Serbia “ dëshmon “ se Kosova është tokë serbe. Në fakt, është një pordhë me sailenciator zhurma e së cilës ndjehet vetëm në Beograd dhe vendet e tjera në Serbi. Sepse janë mësuar me këtë muzikë. Serbisë i ka mbetur vetëm lahuta e Vuk Karaxhiqit dhe Filip Vishnjiqit për të kënduar elegji për “tokën e humbur serbe të Kosovës dhe Metohisë”. Dhe mbi dhunën që “arnautët “ po e ushtrojnë mbi popullin e “pambrojtur” serb. Serbët në veri janë krejt të “paarmatosur” dhe “duarthatë“. Kallashnikovi i Goran Bregoviqit nuk është armë. Mortajat e dorës, zolat, bombat, snajperët, armët me kalibër mbi 20 mm nuk janë armë. Kanë mungesë të Stringerëve, aeroplanëve MIG, nëndetësve, Apaçëve, aeroplanmbajtësve dhe raketave me mbushje bërthamore. Vetëm atëherë mund të thuhet se serbët në veri të Kosovës i kanë krijuar kushtet për “ mbrojtje “ nga shqiptarët. Problemin e veriut e kanë krijuar ndërkombëtarët. Ata, duke i toleruar dhe mirëmbajtur strukturat kriminale e kanë lejuar krimin e organizuar, kontrabandën, trafikimin me qenie njerëzore, me narkotikë etj. . Ata i kanë lejuar që kriminelët e luftës të shndërrohen në kriminel të “ paqes “. Prandaj, i marr me shumë rezervë deklaratat e tyre për kufijtë e Kosovës. Ata kufij vërtet nuk do të ndryshojnë ( të jashtmit ) por kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë të brendshmit. Në fakt, edhe kufijt e jashtëm janë krasitur për aq sa i janë dashur Maqedonisë dhe për aq sa do t’i duhen Malit të Zi. Serbia e ka, “ zgjidh e merr “. Shqipëria po mbanë qëndrim të fortë ndaj Kosovës, as patatet nuk po i blenë nga ne. Serbia pas 25 korrikut domosdoshmërisht ka për të ndryshuar. Së pari, ajo vet e pastaj në raport ne Kosovën. Do të detyrohet ta luftojë krimin e organizuar dhe seriozisht të merret me kriminelët që vet i ka trajnuar. Nuk do të ketë rrugëdalje tjetër; ose do të dekriminalizohet ose do të egjiptizohet. Perspektiva e Serbisë në BE duke përkrahur Milan Ivanoviqin. Oliverin, Marko Jakshiqin dhe iqët e tjerë nga maja e piramidës kriminale është e ngjashme me mundësinë që të rishkruhet Kushtetuta e re e Amerikës sipas filozofisë dhe etikës së Al Kaponesë. Pakoja e Ahtisarit ka qenë një dhuratë shumë e pamerituar dhe amnisti për kriminelët e luftës dhe të cilën nuk po e pranojnë as kriminelët e “ paqes “. Gjithmonë kam qenë i bindur se nuk do të ketë ndryshim të kufijve të jashtëm mirëpo gjithmonë kam qenë dhe jam i bindur se serbëve do t’u ofrohet një status special e që nënkupton autonomi përbrenda pavarësisë. Kjo, në fakt do të thotë se kjo autonomi do të jetë mbi pavarësinë. Ky ka qenë stacioni i fundit i itinerarit kriminal të regjimit serb për të cilin bashkësia ndërkombëtare i ka prerë biletën dhe ka siguruar transportin. Amerikanët, gjermanët, anglezët dhe musketieri Fitu po e kundërshtojnë këtë status. Pyetja është, deri kur dhe deri në ç’masë? Edhe Hashimi, vetë i 40-i po e kundërshton. Pyetja është sikur ajo për ndërkombëtarët; deri kur dhe deri në ç’masë?

EULESH-i dhe përsheshi : Kam qenë mosbesuesi më i madh ndaj EULESH-it. Pata shkruar se ky është variant edhe më i keq se UNMIK –u i Galluqit, vëllaut politik të Milan Ivanoviqit sa i përket Kosovës dhe shqiptarëve. Apo fytyra tjetër e “filozofisë” politike të Nemanja ( Emir ) Kusturicës. Por, më duhet të pranoj se kam filluar ta kthej besimin te EULEX sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit, krimeve të luftës, evazionit fiskal, zhvatjes dhe rrezikimit të paqes në nivelin global. Do të mendoni sigurisht se po u besoj premtimeve për luftimin e këtyre dukurive kriminale në veri të Kosovës që po i bënë EULESH 28 orë gjatë ditës. Për sundimin e ligjit EULESH po punon edhe over – time, vetëm për ta luftuar krimin. Jo, absolutisht jo. EULEX nuk po konsideron se në veri të Kosovës ka krim të organizuar dhe struktura kriminale. Ata po i konsideron si partnerë politik. Po bisedon me ata . Po i bënë pjesë aktive të vendimmarrjes . EULEX, pas një angazhimi titanik ka zbuluar se cilët janë kriminelët që po e rrezikojnë paqen në Kosovë, Serbi, Ballkan, Evropë, Afganistan, Kurdistan, Mongoli, Etiopi, Pakistan, Irak, Iran e sidomos në Euleshistan. Pas hetimeve 10 minutëshe, duke pirë shlivovicë, të shoqëruar me një zdravicë në stacionin policor të quajtur “ Dolçe Vita” në pjesën më paqësore të Kosovës, Mitrovicën veriore ata zbuluan se bartës të të gjitha llojeve të krimit janë : Rexhep Hoti, botues, Qani Mehmedi, gazetar, Sami Lushtaku, historian dhe kryetar i Skenderajt, Avni Azemi, kryredaktor në Infopress, Arizona Dibra, ish drejtoreshë e po të njëjtit medium dhe ndonjë gazetar tjetër, kundërshtar i vëllazërim – bashkimit. Edhe unë, t’ju them të drejtën gjithmonë kam dyshuar në këta njerëz se janë kriminelë ndonëse disa prej tyre nuk i kam takuar ndonjëherë. Kurse, unë, pa asnjë fakt të vetëm i akuzoja për krime Milan Ivanoviqin. Marko Jakshiqin, Oliver Ivanoviqin, Milija Millosheviqin dhe disa të tjerë të cilët nuk bënin asgjë të keqe; vritnin shqiptarë e që në fakt ishte përshkrim i vendit të tyre të punës. Apo zbatim i politikës së Beogradit, kandidatit shumë serioz për anëtarësim në BE. Dëbimin e shqiptarëve, zhvatjen përmes zhdoganimit në pikat 1 dhe 31, vendosjen e barrikadave e bënin për të mirëmbajtur kondicionin. EULEX, e shpagoi veten duke kapur kriminelët më të rrezikshëm në rruzullin tokësor: Rexhep Hotin, Qani Mehmedin, Sami Lushtakun, Arizona Dibrën, Avni Azemin dhe do kriminelë të tjerë, të maskuar si gazetarë. Nuk është kjo asgjë e re . Pasi i mbytën tre fëmijë shqiptarë në Qabër më 16 mars 2004, ish njëshi i OSBE, ambasadori Paskal Fieski kriminelët për këtë krim monstruoz i gjeti te stafi i RTK-së. Me këtë i mbylli gojën këtij mediumi publik . Në të njëjtën mënyrë po vepron edhe EULEX apo Misioni për Dhunimin e Ligjit në Kosovë. Por, e mira e kësaj pune është se pas identifikimit të këtij grupi jashtëzakonisht kriminal, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë pas së cilës në një proces gjyqësor shumë fer ( EULEX është i njohur për këtë ) do të shqiptohen dënimet e merituara. Pastaj, në botë do të ketë qetësi, krimi në Kosovë do të zhduket krejt. Kjo është meritë ekskluzivisht e EULEX prandaj edhe duhet të besohet. Ka dhënë prova konkrete në këtë drejtim. Në Mitrovicën e Veriut, Bërrnjak dhe Jarinje. Dhe në Leposaviq, Zubin Potok dhe Prelluzhë. Tash, u mbetet juve lexues të nderuar; besoni nëse doni. Unë e thashë timen.

Karikom more karikom …: Këtë këngë po e këndon në gjuhen svahili ish Presidenti dhe ministri aktual për Punë të Jashtme i Republikës së Kosovës, zotni Behgjet Pacolli ndërsa iso po i mbajnë shumica e medieve të shkruara dhe elektronike të po kësaj republike. Ministrin me letra për Punë të Jashtme, zotëri Enver Hoxhajn e ka dërguar në Turqi, Antalia përkatësisht në Aqua Land për t’i provuar të gjithë toboganët e mundshëm që janë aty. Për ta katapultuar pastaj edhe nga posti që vetëm formalisht e mbanë . Për ta zëvendësuar pastaj me doajenin e diplomacisë kosovare, Sokratin e Llapushnikut. Të dy ministrat për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës, Zotni Behgjet Pacolli dhe zotëri Enver Hoxhaj po angazhohen për Kosovën prandaj edhe duhet të vlerësohen. Mirëpo këtu janë dy shkolla të kundërta. Enver Hoxhaj, me shkollën e Vjenës, Behgjet Pacolli me shkollën jetësore të Marecit. I pari duke lundruar në Danubin e bukur të kaltër ndërsa i dyti duke luftuar në vendlindjen e Shyt Marecit. I pari me duar prej pelushi, i dyti me duar si çunga – llunga, krejt gunga - gunga. Pacolli është bërë yll medial në Kosovë. E kemi harruar Anxhelina Zholin. Po pse është më i suksesshëm Behgjet Pacolli se Enver Hoxhaj?. Së pari sepse shtetet që e kuptojnë gjuhën e Enver Hoxhajt na kanë pranuar moti ndërsa shtetet që e kuptojnë gjuhën e Behgjetit nuk na kanë pranuar ende. Prandaj Pacolli ka shkuar atje që të merret vesh me ta. Dhe duket se po merret vesh sepse ka njohje. Dikush mund të thotë se situata ka ndryshuar andaj Pacolli e ka më lehtë. Është e vërtetë që situata ka ndryshuar mirëpo duhet të kesh nuhatje për këtë ndryshim dhe ta shfrytëzosh për të mirën, në radhë të parë personale e pse jo edhe për shtetin. Pacollin nuk e kam armik. Mirëpo nuk e kam as mik. Dhe nuk besoj se do ta kem mik në të ardhmën. Ate që e kam shkruar për te në të kaluarën nuk e ndryshoj për edhe as një presë të vetme. E kaluara e tij është ajo që është. Sepse nuk ka bërë asgjë të hajrit për Kosovën dhe qytetarët e saj. Tash po ka rezultate. Dhe unë i bindem rezultateve sepse ka njohje më shumë për shtetin e Kosovës e që për mua është përcaktuese për vlerësimin e angazhimit për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të saj. Pacolli nuk ka qenë politikan dhe kurrë nuk do të bëhet. Por është mjeshtër për të mbijetuar çdo situate dhe çdo zhvillimi, mbi tokë dhe nën tokë. Pacolli ka staf mbështetës. Hoxhaj nuk ka. Pacolli ka staf të lëngut dhe specave djegës ndërsa Hoxhaj ka staf të koka – kolës dhe kekut. Pacolli e ka Sokratin. Hoxhaj, kënd e ka?. Pacolli e ka Peshkun e Dijamantit që t’i plotëson të gjitha dëshirat për dallim nga ai i arti që t’i plotëson vetëm tri dëshira. Hoxhaj ka vetëm sardele të konservuara që mund ta shuajnë pakëz urinë por nuk ta plotësojnë asnjë dëshirë. Pacolli ka filluar të shlyej një pjesë të vogël të borxheve të mëdha që i ka Kosovës. Sa do të jetë i suksesshëm, do ta shohim. Fjalët shkojnë me erën, rezultatet mbesin. Për mua është me rëndësi interesi shtetëror i Kosovës dhe për këtë arsye po shoqërohem me matrapazë, patriotë, politikanë, mashtrues, qytetarë, kreshnik, katundarë, qyqarë, priftërinj dhe hoxhallarë, kriminelë të deklaruar dhe asi në politikanë të maskuar, me pisa dhe me plisa, me inxhen Zhivadinkë dhe me udbashen Stojadinkë, me titista, enverista, stalinista dhe anarkista. Në politikë, me lidhjen e kokainës ndërsa në kafeteri me thithës, jo vetëm të heroinës. Me ata që e shkërdhyen idealin e tash e simpatizojnë Realin. Me ata që na mësonin për sakrifica biblike ndërsa tani i kanë rehatuar bythët në zyra dhe rezidenca hermetike. Me komandantë që dikur kanë luftuar e tash në hajna dhe kriminelë janë shndërruar. Me asi që nuk e dinë tabelën e shumëzimit por që me para të shtetit e kanë zgjidhur për 1000 vite të ardhshme mënyrën e “ vetfinancimit “. Me “ baballarë “ të kombit, vejushka të shqiptarisë dhe patriotë kosovarë të Serbisë. Ta fiksojnë shikimin, ta bëjnë premtimin, të përkrahin moralisht dhe ta fusin konkretisht. Nuk ka më poshtërsi se kur idealisti shndërrohet në moralist, moralisti në realist dhe realisti në materialist.

KOMENTE