Tiranë, 20 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Haxhinasto i bëri thirrje partive politike që me nisjen e sesionit të ri parlamentar në fillim të shtatorit të fillojë puna për reformën zgjedhore.
Nënkryetari i LSI-së apeloi që palët të lënë pas ngërçin politik dhe të rikthejnë dialogun normal, i cili do të mundësonte nisjen e reformës zgjedhore në vend, një kusht i rëndësishëm i BE-së që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në nëntor.
Në një konferencë për shtyp nga selia qendrore e LSI-së, zoti Haxhinasto apeloi se është e domosdoshme që procesi i reformës zgjedhore të jetë gjithpërfshirës ndaj partive politike dhe i hapur për shoqërinë civile.
Duke theksuar gatishmërinë e LSI-së për reformën elektorale, Haxhinasto theksoi se “Nëse procesi zhvillohet i hapur e transparent nga partitë politike, atëherë do të gjenden edhe zgjidhjet optimale për procesin zgjedhor. Mendoj se hapi më i rëndësishëm është që forcat politike të angazhohen për procesin dhe të kontribuojnë në të mirë të tij e të vendit, e jo duke kërcënuar me bllokime”.
Për nënkryetarin e LSI-së ky është momenti i duhur për nisjen e dialogut politik brenda forumeve duke e argumentuar këtë hap si një mesazh të ri që vendi dhe politika shqiptare i japin qytetarëve dhe ndërkombëtarëve.
Duke iu referuar paketës me ndryshime në Kushtetutë që PS pritet të zyrtarizojë në shtator me nisjen e Kuvendit, Haxhinasto nuk mendon se amendimet kushtetuese të opozitës mund të kushtëzojnë punën për reformën zgjedhore.
Sipas Haxhinastos, një kushtëzim i tillë do të ishte alibi e opozitës për të bllokuar reformën zgjedhore.
Gjithashtu ai vërejti se amendimet në kushtetutë nuk janë tabu, duke shtuar se LSI i mbetet qëndrimeve të shprehura më parë.
“Amendimet në Kushtetutë nuk janë një tabu dhe ne i qëndrojmë qëndrimeve të mëparshme. Por, amendimet kushtetuese dhe reforma zgjedhore janë dy gjëra tërësisht të ndryshme. Reforma zgjedhore nevojitet të nisë menjëherë dhe tani është koha”, tha nënkryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto, duke shtuar se dialogu politik dhe reforma zgjedhore janë elementë të rëndësishëm për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Duke folur edhe për ndryshimet kushtetuese sa i përket formulës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një nga rekomandimet e raportit final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, Haxhinasto tha se edhe kjo çështje duhet të bëhet pjesë e një debati sa më të gjerë dhe transparent, në mënyrë që zgjidhja të jetë e pakontestueshme nga asnjëra palë.
mit/NO