Nga Mark Marku Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, ka paralajmëruar ndryshimin e kursit politik të partisë së tij me nisjen e sezonit të ri politik në shtator. Edhe pse ai nuk ka dhënë shumë detaje për kursin e ri, një gjë e ka shprehur qartë: partia që ai drejton do të ndërpresë përpjekjet për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Berisha nëpërmjet protestave të dhunshme dhe formave të tjera jo institucionale, duke iu rikthyer politikës institucionale, politikë që kjo parti e kishte braktisur që pas zgjedhjeve të fundit. Ende pa u bërë realitet, “kursi i ri” i Ramës ka krijuar menjëherë dy qëndrime krejt të përkundërta njëra me tjetrën. Nga njëra anë “kursi i ri” është pritur me skepticizëm dhe është konsideruar si një taktikë politike e Ramës për të tejkaluar momentin e vështirë ku pritet të hyjë opozita shqiptare për shkak të disfatave politike që ajo ka pësuar në këto dy vite të një lufte të ashpër politike për rrëzimin nga pushteti të kryeministrit Berisha. Skeptikët e kursit të ri e shikojnë si të pamundshme që Rama t’i tërheqë taborët e instaluar para Kryeministrisë dhe t’i integrojë në jetën politike normale. Ata e shohin si të pakthim rrugën drejt radikalizimit politik që kishte marrë opozita shqiptare.
“Kursi i ri” i Ramës ka shqetësuar sidomos skifterët e radikalizmit të Partisë Socialiste që pas zgjedhjeve të qershorit të 2009-s. Grupe dhe individë brenda PS-së, por edhe jashtë saj, e kanë pritur në mënyrë shumë armiqësore deklarimin e Ramës për ndryshimin e kursit të ri politik, pjesa më e madhe e të cilëve e ka konsideruar si tradhti një gjë të tillë. Është e qartë se një pjesë e tyre, dikur ish-aleatë të Berishës, e shohin këtë lëvizje si fundin e manovrës së tyre politike. Të armiqësuar me të djathtën, të përdorur dhe të braktisur nga e majta, ata do ta kenë shumë të vështirë të riciklohen sërish në jetën politike dhe aq më tepër të shpikin një fabul të re.
Nëse “kursi i ri” bëhet realitet apo jo, kjo mbetet për t’u zbuluar në ditët dhe muajt që vijnë. Ka mundësi që Rama, pasi e ka përdorur gjysmën e mandatit opozitar për ta rrëzuar kundërshtarin e tij politik nëpërmjet rrugës dhe ka dështuar në të bërët i vetëdijshëm për marrëzinë e një sipërmarrjeje të tillë, tani gjysmën e dytë të mandatit opozitar ta përdorë për ta rrëzuar nëpërmjet rrugës institucionale, duke paraqitur para shqiptarëve alternativën qeverisëse që nuk e paraqiti në zgjedhjet e kaluara. Nëse kjo do të rezultonte e vërtetë, ky do të ishte një lajm i mirë për politikën shqiptare.
Por ka edhe një mundësi tjetër. Duke deklaruar “kursin e ri” ai mund të ketë menduar të heqë dorë formalisht nga rruga revolucionare, ndërkohë që në terren nëpërmjet strukturave të cilat kanë vepruar deri tani të nxisë tensionimin e situatës pa marrë përsipër koston politike të tensionimit të jetës politike. Ndoshta këtë ka dashur të thotë me fjalët që revolucionet bëhen edhe pa opozitën.
Gazeta "Mapo"