Bulqizë, 20 gusht 2011, NOA/Rid Bulku – Rëndohet edhe më tej situata në minierën e Bulqizës, ndërsa greva e urisë e minatorëve ka mbërritur në ditën e 27-të dhe duket se nuk do të ketë fund deri në plotësimin e kërkesave të minatorëve.
Ky ishte edhe vendimi më i fundit i marrë mbrëmë vonë nga Komisioni i grevës së minatorëve.
Tensionin në hyrje dhe në brendësi të minierës e shkaktoi ndërhyrja e policisë dhe e forcave speciale të RENEA-s, të cilët nga dje kanë rrethuar tërë zonën ku ndodhet pusi i minierës së kromit në përpjekje për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Dibrës.
Pas rrethimit të zonës, efektivët e RENEA-s u përpoqën mesnatën e shkuar të hyjnë me forcë në minierë, por e patën të pamundur për shkak se nuk vinin dot në punë ashensorët, të bllokuar nga brenda nga minatorët e ngujuar në grevë urie.
Minatorët e mbetur në grevë pas mbledhjes së mbrëmshme vendosën të bllokojnë hyrjen në minierë duke kundërshtuar edhe vendimin e gjykatës.
Dëshmitarë në vendngjarje thonë se forcat e policisë në përpjekje për të hyrë brenda minierës kanë përdorur edhe dhunë ndaj minatorëve që kanë zënë hyrjen e minierës, ndërkohë që blutë kanë larguar edhe mediat e pranishme gjatë tensionit.
Sipas të dhënave mësohet se janë ndaluar dhe marrë në pyetje në polici kreu i Konfederatës Kolë Nikolla, kryetari i Komisionit të grevës së minatorëve, Baki Bajraktari, njëri nga minatorët e zëvendësuar të grevës së urisë si dhe kreu i sindikatës së minatorëve Tafë Koleci.
Këta janë ndaluar për shkak të kundërshtimit të forcave të policisë sa i përket vendimit të gjykatës së Dibrës, i cili sipas tyre është institucionalizuar dhe i panjohur zyrtarisht për ta.
Megjithë ndërhyrjet policia nuk arriti dot të hyjë mbrëmë në minierën e zaptuar për afro 30 ditë nga minatorët e Bulqizës. Porse forcat e policisë po tentojnë të hyjnë mëngjesin e sotëm.
Minatorët kërcënojnë se do ta vazhdojnë protestën ekstreme deri në fund, pra deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje zyrtare me kompaninë ACR për kërkesat e tyre, si rritjen e pagës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, uljen e moshës së pensionit, pagesën e plotë për dy muajt e protestës si dhe largimin e drejtorit aktual të minierës Mehdad Zogu.
Administratori i kompanisë ACR bëri me dije një ditë më parë se është gati për nënshkrimin e marrëveshjes me minatorët dhe se do të plotësojë kërkesat e tyre, por akti i mirëkuptimit i deklaruar nga administratori duket se nuk i ka bindur minatorët.
Gjendja në minierën e Bulqizës, por edhe në tërë qytetin është e tensionuar.
Minatorët nuk heqin dorë nga greva e urisë dhe kërcënojnë se do të shpërthejnë tubacionet e ujit e përmbytin minierën në rast se policia tenton t’i nxjerrë me forcë.
r.b/mit/NOA