English

Rruga e mundimshme drejt standardeve zgjedhore

Nga Artan Hoxha

1. Një javë më parë, OSBE/ODIHR-i publikoi raportin përfundimtar të zgjedhjeve vendore 2011. Raporti ofroi skanimin e zakonshëm, të thellë e të gjerë të performancës zgjedhore duke vlerësuar shkallën e përmbushjes së “angazhimeve ndaj OSBE-së, standardeve ndërkombëtare dhe të legjislacionit vendas”, koncept ky që në gjuhën e përditshme politike zëvendësohet me “standarde zgjedhore”. Raporti rikonfirmoi thëniet më të hershme të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, të SHBA-ve dhe të BE-së. Më shumë se vetë raporti, interesi ishte mbi mënyrën e reagimit të palëve politike, aq më shumë kur qasja e ardhshme e opozitës sikur ishte lidhur me cilësimet e pritshme negative e të kërkuara me insistim prej saj nga ky raport.

2. Palët politike e përshëndetën raportin menjëherë. Kryeministri Berisha, në emër të maxhorancës, e vlerësoi raportin objektiv dhe pozitiv për zgjedhjet, duke evidentuar nga raporti kryesisht vlerësimet pozitive dhe cilësimin se zgjedhjet ishin “transparente dhe konkurruese” dhe se “…aspektet pozitive përbejnë një bazë për progres të mëtejshëm…”. Lideri opozitar, Rama, e konsideroi raportin si “…asnjëherë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë…, me qëmtime që s’lënë asnjë ekuivok për mungesën e standardeve dhe rolin negativ të KQZ-së e të Kolegjit Zgjedhor…”. Ai e falënderoi OSBE/ODIHR-in “…për objektivitetin e treguar deri në fund…”, duke u shprehur njëherazi kritik për raportet e paqarta të mëparshme, si ai i vitit 2009, që, sipas tij, “u vuri në fund kapakun vjedhjeve duke folur për një progres të paqenë e për mungesë provash për manipulime”. Vihet re lehtë se leximi publik i raportit nga politika duket se nuk ka të bëjë fare me përmbajtjen e vetë raportit, por me qëndrimet dhe synimet politike dhe nevojën për të ndikuar në mënyrën se si publiku dhe segmente të caktuara të tij do të perceptojnë vlerësimin e zgjedhjeve nga ndërkombëtarët. Sjellje kjo më se e zakonshme.

3. Misionet vëzhguese dhe raportet e vlerësimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it bazohen në metodologji të arrira, të konsoliduara e që përsosen vit pas viti me shtimin e eksperiencës së organizatës dhe bazës së të dhënave të mbledhura ndër vite nga vëzhgimet në vendet e ndryshme. Natyrisht që vlerësimi dhe raportimi i zgjedhjeve nuk është as proces dhe as vlerësim idealisht objektiv. Metodat kanë kufizimet e tyre, dhe ato zbatohen nga njerëz të ndikueshëm nga shkalla e saktësisë dhe plotësisë së informacionit, rrethanat politike të vendit nën vëzhgim dhe objektivat politike të çastit dhe/ose afatgjata. Çdo lexues mund të vizitojë faqen zyrtare të organizatës (www.osce/odihr) dhe në përpjesëtim me interesin dhe vullnetin, të njihet me metodologjinë dhe me raportet për vende të ndryshme, në kohë të ndryshme, përfshirë të gjitha raportet për zgjedhjet në Shqipëri. Leximi i raporteve kërkon disa njohuri minimale, ndryshe keqkuptimet ndodhin edhe në mirëbesim, e aq më shumë kur leximi i raporteve bëhet qëllimisht i shtrembëruar.

4. Shumë, shumë shkurtimisht, shprehja “angazhimet ndaj OSBE…..” përmbledh tetë koncepte bazë e thelbësore: 1) zgjedhje periodike – në periudha të përshtatshme kohore as shumë të shkurtra dhe as shumë të gjata; 2) zgjedhje të vërteta – zgjedhësit të mund të votojnë të mirinformuar; 3) zgjedhje të lira – edhe votuesit janë të lirë të zgjedhin, por edhe cilido subjekt është i lirë të konkurrojë; 4) zgjedhje të ndershme – subjektet konkurrojnë në kushte të barabarta e trajtohen në mënyrë të paanshme; 5) votim i përgjithshëm – çdokush që ka të drejtë dhe dëshiron të votojë, të mund të votojë pa pengesa, si p.sh. nga mungesa e emrit në listën e votuesve; 6) votim i barabartë – çdo votë ka të njëjtën vlerë; 7) votim i fshehtë – mënyra e votimit dhe e leximit të votës të sigurojë anonimatin e votuesit; ndershmëria e numërimit dhe rezultateve – votat të quhen të vlefshme kur qëllimi i votuesit është shprehur qartë dhe procesi të jetë transparent, i saktë, i verifikueshëm. Vlen për t’u theksuar ky i fundit lidhur me zgjedhjet e 2011-s në Tiranë.

5. Që nga viti 2000, në Shqipëri janë mbajtur shtatë procese zgjedhore, nga të cilat katër vendore, në vitet 2000, 2003, 2007 dhe 2011 dhe tre kombëtare, në vitet 2001, 2005 dhe 2009. Raportet respektive të OSBE/ODIHR-it mundësojnë një analizë të dinamikës së performancës së zgjedhjeve dhe rrugën e tyre drejt plotësimit apo jo të angazhimeve ndaj OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare. Ndërsa vërehet një avancim në tërësi në të gjitha parametrat që lidhen me standardet dhe kriteret e shumta përkatëse, gjithashtu vërehet se, lidhur me standarde/kritere të caktuara, avancojnë më shumë e më lehtë, ndërsa të tjera priren më shumë drejt vendqëndrimit apo ecjes me zigzag.

6. Duke u krahasuar me zgjedhjet e viteve 1996 dhe 1997, zgjedhjet e viteve 2000 dhe 2001 konsiderohen si një rinisje e mirë në rrugën drejt angazhimeve ndaj OSBE-së. Por, analiza e detajuar e të gjitha parametrave tregon se zgjedhjet ishin tejet larg shumicës së standardeve. Problemet janë bazike, të gjera e të thella, përfshirë listat e rrëmujshme, përdorimin e mjeteve administrative, frikësimin e votuesve, ndërhyrjet e policisë, mbushjen e kutive me vota shtesë, falsifikimin e rezultateve, kapërcim të ligjit përmes “mikro-Dushkut” dhe kandidatëve të pavarur e deri në proceset gjyqësore të deformuara. Raporti i 2001-shit shprehet “…me gjithë këto shqetësime, nuk ishte fitorja e PS-së në këto zgjedhje që u vu në dyshim, por vetëm gjerësia e kësaj fitoreje…”. Zgjedhjet vendore 2003, ndonëse shënuan një progres në disa drejtime si, zhvillimi i fushatës, pasqyrimi në media e deri proceset ankimore, u konsideruan “…një mundësi e humbur për një përparim domethënës drejt përmbushjes së angazhimeve të OSBE-së …”, nga raporti i atij viti. Në këto zgjedhje u evidentuan veçanërisht problemet me listat, numërimin e votave dhe pasaktësinë e rezultateve. Megjithatë, u shënuan dy zhvillime mjaft pozitive: për herë të parë u cilësua korrekt dhe pozitiv roli dhe sjella e policisë, si dhe u pakësua ndjeshëm vesi i mbushjes së kutive.

7. Zgjedhjet e vitit 2005, ndonëse mundësuan rotacionin dhe kalimin paqësor të pushtetit nga socialistët te demokratët, u vlerësuan se “…u përputhën, vetëm pjesërisht, me angazhimet e OSBE-së … dhe shënuan disa përparime në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri…”. Këto ishin zgjedhjet ku të dyja kampet përdorën taktikën e shumëkritikuar të “mega-Dushkut”, por ishin edhe zgjedhjet ku u shënua për herë të parë një performancë më kolegjiale e KQZ-së, ndihmuar, me sa duket, nga atmosfera më e paqme politike dhe pritshmëria realiste dhe pranueshmëria mbi rotacionin e mundshëm. Zgjedhjet pasuese të vitit 2007 u vlerësuan se “….i përmbushën vetëm pjesërisht angazhimet e OSBE-së…. Partitë politike kryesore dështuan… në përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrave. Për rrjedhojë, procesi zgjedhor shpesh u bllokua dhe dukej të ishte pranë pikës së kolapsit në raste të përsëritura”. Sjella konfliktuale politike u përçua edhe në KQZ, ndërsa nuk mungojnë vlerësimet negative për inkoherencat dhe boshllëqet me arsyetimet e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Tonet e kritikës së raportit për partitë kryesore rritet ndjeshëm duke i bërë njësoj bashkëpërgjegjëse të kësaj performance vendnumëro.

8. Zgjedhjet e 2009-s, sipas raportit, “…shënuan një progres të prekshëm përsa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, përsa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. …Këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit…. Edhe pse përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”. Maxhoranca i quajti zgjedhjet suksesin e saj, ndërsa opozita, ndonëse kontribuoi fillimisht në arritjen e tyre, pas zgjedhjeve mohoi çdo arritje, për shkak të nevojës së liderit Rama për mohimin e humbjes dhe kaloi në veprime ekstremiste me bojkot, grevë urie, e deri në protestën e dhunshme të 21 janarit, duke keqpërdorur kauzën e transparencës zgjedhore e postzgjedhore.

9. Raporti i 2011-s i OSBE/ODHIR-it shprehet që “…zgjedhjet u mbajtën në një mjedis politik që ishte në pragun e krizës pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve antiqeveritarë dhe policisë ku pati dhe katër të vrarë. Ndërsa zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, ato ishin tejet të politizuara, me mosbesim mes partive në qeveri dhe opozitës. Ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, dy partitë e mëdha nuk i zbatuan detyrimet e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme duke ndikuar negativisht administrimin e zgjedhjeve….”. Raporti, ashtu si edhe pararendësit, jep një analizë të plotë, të thellë e gjithëpërfshirëse të zgjedhjeve duke arritur në përfundime për shkallën e afrimit me secilin nga standardet. Raporti përmend të paktën 12 herë termin “angazhime të OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare” duke i konkretizuar ato sipas rastit. Krahasimi një-për-një i raportit të 2011-s me atë 2009-s tregon se ka mbetur vendnumëro në shumë drejtime, përmirësime në disa drejtime, si: në listat e zgjedhësve dhe dokumentet e identifikimit, uljen e ndjeshme të shkallës së përdorimit të mjeteve e burimeve administrative e të përurimeve, të shkallës së lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje e të informimit të zgjedhësve, të organizimit të zgjedhjeve, të votimit, animimit në tërësi në të gjithë Shqipërinë, por nuk vërehet ndonjë përkeqësim veçanërisht i prekshëm krahasuar me 2009-n.

10. Në këtë konkluzion arrihet edhe lidhur me sjelljen e politizuar të KQZ-zë apo me inkoherencat dhe boshllëqet në arsyetime të Kolegjit Zgjedhor lidhur me çështjen e votave të hedhura në kutinë jorespektive në Bashkinë Tiranë, në kushtet e një rezultati tmerrësisht të ngushtë, me një grusht votash diferencë, mbi 257 mijë vota. Defektet e cilësuara të vendimeve qëndrojnë, por nuk rrëzojnë drejtësinë, pashmangshmërisht tokësore e jo hyjnore, të tyre. Tek e fundit, arsyetimi i tri vendimeve të Kolegjit mbetet shumëfish më koherent, më i plotë e më bindës se arsyetimi i bërë mbi pretendimet e kundërta. Cilësime të këtilla për KQZ-në dhe Kolegjin i gjejmë më të shpeshta në vitin 2009 e 2007, diçka më të zbutura në vitin 2005 dhe shumëfish më të rënda e më të shpeshta në vitet 2003, 2001 dhe 2000, veçanërisht trajtimet nga Gjykata e Lartë, apo ajo Kushtetuese të atyre viteve, duke i cilësuar këto të fundit si shkelje të angazhimeve ndaj OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare. Nëse këto defekte të zgjedhjeve 2011 zmadhohen si pasojë e faktit se kemi të bëjmë me Tiranën dhe me liderin e opozitës, kjo është tjetër gjë, por s’ka të bëjë me vlerësimin e shkallës së progresit a regresit në raport me standardet, krahasuar me zgjedhjet e shkuara dhe aq më shumë s’ka të bëjë me manipulime e vjedhje vote, terma këto që nuk gjenden në raportet e OSBE/ODHIR-it që prej vitit 2003. Me njërën procedurë a me tjetrën, votat në kutinë jorespektive do të duheshin të vlerësoheshin sipas parimit të tetë të “angazhimeve ndaj OSBE-së…” i sipërcituar. Rezultati do të ishte i njëjtë. Ndryshe, do të shkelej një parim thelbësor në favor të vazhdimit të trajtimit gabimisht si të pavlefshme të këtyre lloj votave. Kur çështja është e koklavitur dhe baza ligjore e paqartë, në ndeshjen mes parimeve fiton parimi më i fortë. Në këtë rast, parimi i vullnetit të votuesit. A u bë gjithçka për parime? Le të themi jo. A u kundërshtua për parime? Do të duhet të themi përsëri jo. Apo jo? Kjo është bota. Secili ndjek interesin e tij dhe “dora e padukshme” prodhon progres për shkak të konkurrueshmërisë. Zgjedhjet u vlerësuan “transparente dhe konkurruese”. Ndaj cilësimi është shumë pozitiv.

11. Jo më kot Kantrimen dhe të tjerë bashkë me të, përfshirë ambasadoren gjermane të enjten e kaluar, i cilësuan këto zgjedhje si më të mirat e kryera ndonjëherë në Shqipëri. Kjo është pozitive, aq më shumë duke konsideruar se me sa vështirësi, dyshime, pengesa, konflikte dhe tensione u arrit të realizoheshin këto zgjedhje. Gjithsesi, ky progres mjaft modest në raport me 2009-n është një tjetër shans i humbur duke e zgjatur dhe vështirësuar rrugën e Shqipërisë drejt arritjes së angazhimeve ndaj OSBE-së dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhjet. Mirë dhe kaq! Zgjedhjet nuk shkuan dëm. Po shërbejnë për reflektim. Sapo ka filluar. Nga këtu mund të vijë zgjidhja. Skeptikët dhe ekstremistët që thoshin se zgjedhjet vendore s’janë zgjidhja, apo se rruga e forcës është e vetmja zgjidhje, duket se po fillojnë të zhgënjehen. Zhgënjimi i tyre është lajm i mirë për interesin publik. Rruga e forcës u provua dhe s’dha rezultat.

12. Opozita, nën presionin e forcave progresiste, veçanërisht institucioneve ndërkombëtare, me shumë vështirësi, gjithsesi, po rikthehet në sistem. Lideri Rama tashmë do t’ dedikohet veçse opozitarizmit. Sikur po çlirohet nga bashkiomania. Pa protesta të dhunshme, po thotë. Shumë mirë! Edhe pa këtë, KQZ dhe Kolegj po kërkon. Të shohim alternativat. Qofshin të urta e të mençura! Deputetët opozitarë do t’i dedikohen parlamentarizmit proaktiv. Pra, me propozime për reforma! A fillojmë me gjykatat administrative? Ligji është gati bashkë me propozimet e opozitës që në prill 2009. Ndoshta këto sjellje dhe sinjale pozitive fillestare në shtator do të mjaftojnë për të marrë atë që nuk e morëm dot në nëntor 2010: statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. E mira është përpara. Edhe e keqja po aty. Bën sikur dremit. Zien! Të shohim!

Gazeta "Panorama"

KOMENTE