Uashington DC, 20 Gusht 2011 - Qeveria e Shteteve të Bashkuara është shprehur e shqetësuar rreth raporteve që flasin për dënimin me tetë vjet burg të dy shtetasve të saj.
Mediat në Teheran raportojnë se drejtësia iraniane ka dënuar me tetë vjet burg shtetasit amerikanë, Shejn Bauer dhe Xhosh Fatal.
Sipas të njëjtave burime, ata u dënuan për "hyrje të paligjshme" në Iran dhe për "spiunim".
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland, tha se Bauer dhe Fatal ndodhen që dy vjet në “burgun famëkeq të Evinit” dhe se është koha që ata t’iu bashkohen familjeve të tyre, raporton radio Evropa e Lirë.
Avokati i të ndaluarve, Masud Shafi, i tha Radio Fardas se nuk mund ta konfirmojë lajmin, meqë deri më tash ai tha se nuk ka parë asnjë vendim me shkrim nga gjykata.
"Verdikti nuk është dorëzuar tek unë as zyrtarisht, as jozyrtarisht. Unë do të deklarohem kur të më dorëzohet”, tha avokati Shafi.
Bauer, Fatal dhe bashkëqytetarja e tyre, Sarah Shourd, janë ndaluar nga rojet e kufirit iranian në fund të korrikut, 2009. Ata kanë deklaruar se kanë kaluar kufirin pa dashje.
Sarah Shourd është liruar me kusht, pas pagesës prej 500 mijë dollarësh në vitin 2010, dhe tani ndodhet në Shtetet e Bashkuara.
Mediat iraniane, duke cituar gjykatën, thonë se “rasti i saj vazhdon të mbetet i hapur”.