Tiranë, 21 gusht 2011, NOA / Albana Qehajaj – Muajt e verës edhe këtë vit kanë rregjistruar një numër të madh viktimash për shkak të aksidenteve rrugore. Policia, e cila ende nuk ka një raport të plotë të situatës, informon se që nga dita e hapjes së sezonit e deri më sot numërohën mbi 490 aksidente rrugore ku kanë humbur jetën 73 qytetarë.
Shpejtësia e madhe, alkooli, numri i madh i automjeteve, mungesa e tabelave dhe mospërqëndrimi në trafikun e dendur renditen si shkaqet kryesore të aksidenteve.
Vetëm gjatë këtij korriku kishte 25 të vrarë më pak se korriku i kaluar, po ashtu me ulje të ndjeshme vdekjesh është edhe gushti që nuk është mbyllur ende. Drejtuesit e policisë ia dedikojnë këto shifra të përmirësuara punës së madhe që po bëjnë patrullat e policisë rrugore.
Statistikat kufitare tregojnë se gjatë korrikut hynë në Shqipëri nga emigracioni 60 mijë automjete më shumë dhe 100 mijë persona më shumë se një vit më parë.
Ky numër i madh automjetesh u shtohet befas trafikut të rënduar vendas dhe rrugëve të Shqipërisë, një pjesë në ndërtim e sipër dhe pjesa tjetër të reja e të gjera, që nxitin shoferët e rinj për të ecur me shpejtësi. Infrastruktura rrugore po përmirësohet me kalimin e viteve, por shoferët dhe këmbësorët vazhdojnë të abuzojnë me kushtet e reja.
Drejtuesit e policisë pohojnë megjithatë se sivjet ka një ulje të ndjeshme të viktimave në aksidente rrugore. Nëse sivjet kanë vdekur 73 qytetarë, verën e kaluar humbën jetën 120 persona.
Policia po drejton trafikun e rënduar me sakrifica në zonat bregdetare dhe në zonat me rrugë të dëmtuara.
INSTAT pohon se gjatë gjithë vitit 2010 kanë ndodhur 1 mijë e 564 aksidente rrugore me 353 të vdekur dhe 1 mijë e 700 të plagosur. Mesatarisht kanë qenë 39 aksidente për çdo 10 mijë automjete.
Që prej vitit 1991, viti me numrin më të vogël të aksidenteve është 2002, ku ka pasur 328 aksidente rrugore. (INSTAT)
a.q/NOA