Tiranë, 21 Gusht 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Një aksion i Policisë Bashkiake Tiranë është duke u zhvilluar momentalisht në Qytetin Studenti në përpjekje për të frenuar dukurinë e ndërtimeve pa leje.
Një numër forcash të policisë Bashkiake ka ndërprerë punën e tre betonierave të cilat ishin duke kryer ndërtime të cilat nga bashkia Tiranë janë cilësuar si të paligjshme.
Policia Bashkiake konfirmoi bllokimin dhe sekuestrimin e të tre betonierave.
Prej disa ditësh Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës, po realizon prishjen e ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Para fundjavës, një ndërtim pa leje u prish në zonën e Selitës, në rrugën “Ibrahim Dervishi”.
Policia Bashkiake konstatoi ndërtimin pa leje, bëri bllokimin dhe njoftoi subjektin. Pas kësaj procedure, nisi sot aksioni për shembjen e ndërtesës dhe kthimin në gjendjen fillestare.
“Ky është aksioni i radhës i Policisë Bashkiake. Ne do të zbatojmë ligjin dhe këtë do ta bëjmë çdo ditë”, - u shpreh drejtori i Policisë Bashkiake, z.Florenc Hoxha.
Brenda 10 ditëve, Policia Bashkiake ka kryer 10 aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa janë bllokuar qindra raste të tjera, ose tentativa për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Gjatë javës që po mbyllet, Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, nisi aksionet për pastrimin e territorit të kryeqytetit nga zaptimi i paligjshëm i vendparkimeve.
Aksioni zgjati tre ditë dhe të gjithë hapësirat që mbahen të bllokuara nga subjektet në mënyrë të paligjshme, janë liruar.
Aksioni u shtri njëkohësisht, në të gjithë rrugët e Tiranës. Inspektorët në terren kanë vënë re se hapësirat mbaheshin të bllokuara në mënyrë të paligjshme, pasi subjektet nuk paguajnë taksa në Bashki, për vendparkimet që zënë.
Një javë më parë, të gjithë subjekteve që kishin zënë pjesë të rrugëve, u ishte kërkuar dokumentacioni përkatës ku të vërtetohej leja që ata kishin dhe taksat që paguanin për hapësirën e zënë.
Në shumicën e rasteve, subjektet nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacion dhe në rastet kur kanë paraqitur, dokumentacioni ka qenë i mangët.
Pasi ka kaluar ky afat, kanë ndërhyrë në terren inspektorët e Policisë Bashkiake dhe të Tatimeve të Tiranës.
Në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura, nga bizneset ngjitur dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë, për shkak të pamundësisë për të parkuar.
Në pjesën më të madhe të rasteve, rezulton se subjektet që zënë hapësirat, nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë taksohen për një vendparkimi, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende.
Bashkia thotë se ky rregullim do të shërbejë për qytetarët, pasi do të krijojë më shumë mundësi parkimi për ata që qarkullojnë me makinë, duke ndikuar në lehtësimin e trafikut në Tiranë.
a.y/e.t/NOA