Nga James Kirkup
Nuk është ndonjë sekret fakti se David Cameron dhe shumë prej miqve të tij admirojnë pamasë Tony Blair-in. Kujtimet e ish-kryeministrit gëzojnë statusin e një teksti të shenjtë për ndoca, ndërkohë që disa prej të njohurve të Cameron-it tregojnë se librat e Jonathan Powell-it, shefit të kabinetit të Tony Blair-it, janë edhe më të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë Cameron-i është përpjekur të heqë etiketën “pasardhësi i Blair-it”, duke këmbëngulur se është të paktën po aq i interesuar në shmangien e përsëritjes së gabimeve të Blair-it sa edhe në vazhdimin e sukseseve të tij. Të shohësh këto ditë sjelljen e Cameron-it, nuk është e vështirë të kujtosh Blair-in dhe axhendën e tij.
Madje edhe inskenimet e Cameron-it në lidhje me trazirat kanë ardhur si shumë blairesque: braktisja e pushimeve për të “marrë nën kontroll situatën”, e ndjekur nga një fjalim gjithëpërfshirës e llërë të përveshura, ku premtohej shndërrimi i Britanisë.
Frustrimi në rritje i Cameron-it me policinë gjithashtu duket i njohur. Për Blair-in, një jurist i martuar me një juriste, ishin pikërisht juristët dhe këmbëngulja e tyre për ndjekjen e procesit që u bënë qendra e zemërimit. Por në të dy rastet, një Kryeministër përballet me një kolonë të establishmentit, gjithnjë e më i zemëruar me faktin se ata nuk i pranojnë reformat e tij, të cilat, këmbëngul ai, janë të nevojshme për të harmonizuar sistemin e drejtësisë me opinionin publik bashkëkohor.
Në të dyja dramat ka vend për një intermexo, ku hyn në skenë një këshilltar kundërthënës. Për Blair-in ishte “cari i Respektit”, Louise Casey; për Cameron-in është…Louise Casey. Ngjashëm fokusi i tanishëm i Cameron-it janë “familjet me probleme”. Në prill 2007, kur mandatit të tij po i afrohej fundi, Blair-i vlerësonte punën e tij sa i takon sjelljeve antishoqërore dhe i gjente vetes mangësi. Teza kryesore e tij është se sjellja antishoqërore nuk ka të bëjë me shoqërinë si të tërë. Padyshim që ka një ndikim në shoqërinë si të tërë. Por nuk është pjesë e kolapsit të përgjithshëm të shoqërisë, një shkepje e fillit tonë social apo një zbritje në një kulturë “decivilizimi”. Përkundrazi, ka të bëjë me një pakicë.
Realiteti është se kemi të bëjmë me një numër shumë të vogël familjesh shumë disfunksionale, karakteristika kryesore e të cilëve është se nuk përfaqësojnë shoqërinë si të tërë. Ata janë përjashtimi, jo rregulli. Ata nuk reagojnë ndaj investimeve më të mëdha. Ata nuk përshtaten me normat shoqërore. Receta e tij? Një shtet i fortë dhe intervencionist.
Dhe pikërisht këtu gjërat vijnë e bëhen interesante për Cameron-in. Gjithë teoria e tij mbi Shoqërinë e Madhe dhe Shoqërinë Problematike sugjeron se ai e sheh Shtetin si problem dhe jo si zgjidhje të tij. Por hidhi një sy këtij pasazhi të një fjalimi të para dy ditëve të Cameron-it: Qeveria nuk mund të bëjë ligje për ndryshimin e sjelljes, por është gabim të mendosh se Shteti është spektator. Sepse sjellja e njerëzve nuk ndodh në vakum: ndikohet nga rregullat që vendos qeveria dhe si zbatohen ato… dhe ndoshta, mbi të gjitha, nga shenjat që dërgon qeveria rreth sjelljeve që inkurajohen dhe shpërblehen.
Ndërhyrja në familjet me probleme. Një forcë policore më aktive. Një rol qendror për ushtrimin përfundimtar të fuqisë së Shtetit mbi individin; mohimin e lirisë. A kanë zbuluar trazirat e javës së shkuar një besim të ri të David Cameron-it në rolin e Shtetit? Kjo me gjithë mend do të ishte një fitore e paharrueshme për Blair-in.
NOA