English

Dështon amnistia fiskale, shqiptarët nuk duan deklarim parash

Tiranë, 21 Gusht 2011 NOA/ Ervin Tirana – Shqiptarët nuk duan të bëjnë deklarim të ardhurash dhe megjithë ndjelljen që po i bën Qeveria, interesi është në nivele mjerane, ndoshta dhe nga heshtja e pas-shpalljes së vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Po bëhen tre muaj ndërkohë që kanë mbetur edhe rreth katër të tjerë, që amnistia fiskale të vazhdojë ende, duke mundësuar që shqiptarët të mos rëndohen me asnjë taksë të papaguar deri në janar 2011, por me kusht që të deklarojnë çdo të ardhur të tyre, çdo biznes dhe çdo person të punësuar, duke vlejtur kështu për transparencë financiare të shqiptarëve për vitet e ardhshme.

Duket se pikërisht kjo i ka trembur shqiptarët duke preferuar më mirë të heshtin masivisht në ofertën e amnistisë fiskale se sa të përballen me detyrimet që do të vijnë nga shteti, proces që zbatohet në vendet e zhvilluara të botës.

Ekspertët pajtohen me faktin se amnistia fiskale po shkon drejt dështimit. Megjithatë ata nga ana tjetër japin rrugëzgjidhje.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Alb Konfindustria thotë për agjencinë kombëtare të lajmeve NOA se realisht ka një përfshirje të ulët të bizneseve dhe sidomos individëve/qytetarëve në procesin e faljes fiskale.

Kurse shton: “Shqetësim bëhet edhe më i madh kur tashmë po mbyllet muaji i tretë i hyrjes në fuqi të amnistisë që shpalli këtë vit qeveria”.

Për këtë arsye, z.Buxhuku sugjeron se duhet të merren “masa të jashtëzakonshme të kryerjes së marketingut profesional nga institucionet përgjegjëse publike në një kohë sa më të shpejtë”. Në të kundërt, paralajmëron eksperti i njohur ekonomik, “mund të dështojë shtylla kryesore e përfitimit të ekonomisë kombëtare nga falja fiskale që është hyrja në sistem e të ardhurave personale të qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit”. “Në këtë rast rrezikohet të dështojë i gjithë procesi i faljes fiskale, - përforcon shqetësimin e tij z. Buxhuku.

Nga ana tjetër, njohuritë e emigrantëve shqiptarë të kthyer në atdhe me rastin e pushimeve të verës për procesin dhe procedurat e faljes fiskale, mungojnë pothuaj krejtësisht.

Por thithja e burimeve financiare nga jashtë nëpërmjet edhe procesit të faljes fiskale, është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos në kushtet kur ekonomia kombëtare po jep shenja të qarta të uljes së rendimentit fiskal.

Kjo është e shprehur së fundmi në shkurtimin e ndjeshëm prej 200 milionë USD të shpenzimeve qeveritare për vitin financiar 2011 dhe uljen e të ardhurave nga TVSH për 6 mujorin e parë të vitit 2011 në krahasim absolut me vitin paraardhës 2010.

Eksperti Buxhuku vlerëson se “do të ishin pikërisht të ardhurat personale të emigrantëve shqiptarë si burimi kryesor i përfitimit të ekonomisë kombëtare nga procesi i faljes fiskale”.

Ai mendon se gjendja mjaft e rëndë ekonomike e vendeve fqinje si p.sh. Greqia, është një tjetër mundësi e mirë psikologjike për tërheqjen e të ardhurave personale të emigrantëve shqiptarë dhe futjen e tyre në sistemin bankar të Shqipërisë.

e.t/NOA

KOMENTE