English

Kryeministri apatrid që akuzon kuqezinjtë

Pak ditë më parë, kryeministri Sali Berisha u shfaq në orën e fjalimit të tij të mbrëmjes, për të sharë dhe ofenduar Aleancën Kuqezi, si dhe për të derdhur vrer kundër Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Nga Andrea Stefani

Me këtë të fundit dihet se pse është i vrerosur. Nuk i bindet plotësisht. Ndaj mezi pret “të zbatojë Kushtetutën”, që të vendosë në postin e Presidentit një nga pupacët e tij pa dinjitet. Po me kuqezinjtë ç’ka që u turret gjithë mllef dhe i akuzon si njerëz pa atdhe ose “apatridë”? Edhe kjo dihet. Kuqezinjtë kanë dalë kundër regjistrimit të popullsisë me vetëdeklarim kombësie, që qeveria përgatitet ta zhvillojë në tetor, nën dirigjimin e ministrit Pollo. Gjithsesi, edhe në këtë rast, Berisha i akuzon kundërshtarët e tij pikërisht për atë që vetë përfaqëson. Sepse nëse ka ndonjë apatrid mes shqiptarëve sot, ky është pikërisht Berisha, atdheu i vetëm i të cilit është pushteti. Ndërsa liderë të mëdhenj si për shembull, Uashingtoni apo Cincinati, kanë dorëzuar pushtetin për të mirën e Atdheut, kryeministri ynë bën pjesë në ata politikanë që shesin Atdheun për hir të pushtetit. Dhe fakte për këtë ka plot. Natyrisht për ata që nuk i kanë sytë të bllokuar nga fanatizmi apo interesat korruptive që i ngopin me anë të pushtetit berishist.

* * *

Berisha e ka kot që përpiqet t’i skualifikojë kundërshtarët e vet me anë të formave vulgare mbrëmësore të edukimit që zhvillon për natë nga ekranet televizive, të shndërruara në tribuna mitingu për të. Dizinformimi dhe shtrembërimi i fakteve nuk pengon dot shumë shqiptarë të zbulojnë pikërisht tek ai politikanin apatrid që nuk do t’ia dijë për fatet e Atdheut. Dhe duhet të jesh trumbyllur të mos shikosh se pas 20 vjetëve që ky politikan ka qëndruar në krye të punëve, Atdheu mbetet më i varfëri dhe më i çakorduari në rajonin e Ballkanit. Një bilanc të tillë mizerabël nuk e shohin dot vetëm ata që kënaqen të marrin si të vërteta gënjeshtrat e kryeministrit për ekonominë “entuziaste” që po zhytet në borxhe deri në fyt, si dhe për “ekonominë që i prin Europës bashkë me Gjermaninë”. Këto janë banalitete propagandistike që revokojnë në kujtesë çmimin ndërkombëtar për ushqimin që Shqipëria mori në kohën e qeverisjes së Adil Çarçanit, ndërsa njerëzit mbanin radhë për një shishe qumësht. Ndërkaq tradhëtimi i interesave të Atdheut nga Berisha përmban edhe një listë të gjatë skandalesh, korrupsionesh dhe strategjish. Mbi të gjitha një thikë në shpinë të Atdheut është rrënimi prej tij i projektit të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Nëse sot Shqipëria është vendi me zgjedhjet më problematike në rajon, si dhe ku zbatimi i ligjit është më i pamundur se kudo, kjo lidhet drejtpërdrejt me tendencat autokratike, manipulimet dhe korrupsionin e pushtetit berishist. Që edhe zgjedhjet e 8 majit dështuan dhe u mbizotëruan nga tone gri (për t’u shprehur diplomatikisht si ambasadorja gjermane) është faj kryesisht i qeverisë dhe Berishës. Ndryshe duhet të themi që përgjegjësia për organizimin e zgjedhjeve është e opozitës dhe jo e qeverisë. Ashtu si fashistët bombarduan duke rrënuar Guernikën, ashtu edhe Berisha bombardoi dhe rrënoi demokracinë në zgjedhjet e 8 majit. Bombat janë të markës “KQZ” dhe “KZ”.

* * *

Për qëllime pushteti dhe pasurimi, Berisha shiti interesat e Atdheut bashkë me naftën që kontrabandoi për Milosheviçin. Paratë e kësaj nafte që mbushi serbatorët e tankeve serbe që përgjakën Kosovën, Berisha i përdori edhe për të fryrë piramidat financiare që u bënë varri i shtetit shqiptar në vitin ‘97. Në atë vit të mbrapshtë Shqipëria u zhyt në kaos e gjak pikërisht sepse Berisha refuzoi deri në fund të lëshojë pushtet në emër të Atdheut. Ai vendosi të sakrifikojë Atdheun, për hatër të pushtetit. Këtë po bën edhe sot në rolin e kryeministrit. A nuk është po ky Berishë që ka vënë në zbatim shumë nga projektet e qeverisë socialiste të Nanos që sa qe në opozitë i denonconte si korruptive. A nuk po ndjek të njëjtat praktika si qeveria e korruptuar “Nano” lidhur me privatizimet, blerjen apo shitjen e energjisë elektrike, fabrikat e çimentos apo importimin e plehrave nga Italia? Tani duhet të dalë dhe t’u thotë shqiptarëve që projektet dhe kontratat korruptive të qeverisë “Nano” janë në dobi të interesave të Atdheut. Mos vallë i shërbehet Atdheut kur trafikohen municione dhe shkaktohen tragjedi si ajo e Gërdecit? Mos vallë është në interes të Atdheut të vrasësh demonstrues të pafajshëm para zyrave të Kryeministrisë. Të gjitha janë skandale dhe korrupsione në favor të një pushteti të korruptuar dhe në dëm të Atdheut. I tillë është edhe investimi skandaloz i rrugës Durrës-Kukës, që Berisha e paraqet si kryeprojekt patriotik. Në fakt, një investim që mund të kryhej me shumë më pak para dhe ku korrupsioni qeveritar ka grabitur qindra milionë eurot e spitaleve dhe shkollave mjerane të Shqipërisë. Por mos vallë është një akt patriotik falja e ujërave të detit Greqisë? Cili qeveritar atdhetar do të kish guxuar ta bënte një gjë të tillë? Askush. Por Berisha e bëri. Sepse është apatrid, pa atdhe. Edhe në atë rast ai shiti Atdheun për “atdheun” e tij të vetëm, që është pushteti.

* * *

E gjithë karriera e Berishës është shitje e Atdheut. I paaftë të qëndrojë në pushtet me mirëqeverisje, me suksese reale ekonomike, ai ka zgjedhur të shesë pa fund interesat e Shqipërisë te të huajt dhe paratë që grumbullon nga këto shitje, të blejë vota e të manipulojë demokracinë. Edhe zemërimin me kuqezinjtë e ka se ata guxuan të denoncojnë një tjetër projekt të tij antiatdhetar. Është fjala për regjistrimin e miratuar me nxitim dhe me vota të manipuluara në Kuvend. Berisha rreket të mashtrojë, duke thënë se shqiptarët janë krenarë për kombësinë e tyre. E vërteta është disi më ndryshe. Shqiptarët janë krenarë, por disa prej tyre, varfëria ku i ka zhytur një qeverisje si kjo e Berishës, i ka shtyrë në dëshpërim. Jo pak kanë ndërruar emrat dhe kombësinë, të ndodhur mes presionit të varfërisë nga njëra anë dhe joshjes nga pensionet apo pagesat e autoriteteve greke në anën tjetër. Kuqezinjtë frikësohen se një regjistrim ku kombësia vetëdeklarohet dhe nuk dokumentohet, mund të rrisë artificialisht numrin e pakicës greke gjë që, më pas, mund të çojë edhe në iniciativa që do të rrezikonin integritetin territorial të Atdheut. Frika është plotësisht e përligjur dhe vetëm një apatrid si Berisha, që nuk e çan fort kokën se ç’do të ndodhë me Atdheun nesër, mund të mllefoset nga një shqetësim i tillë. Por edhe në këtë rast duket sikur Kryeministri apatrid është përfshirë në një projekt perfid dhe të fshehtë për shitjen e pjesëve të Atdheut vetëm e vetëm që ai të jetëgjatësohet pafundësisht në pushtet. Motoja e këtij apatridi është: Pas meje kiameti!

*Opinion i marrë nga gazeta Shqip

KOMENTE
  • Hasan Skenderaj16:53 - 21 Gusht 2011
    jemi si ato delet pa bari dhe do viv ujku do ti haj per qef kshu jemi ne p.shqiptar