Mitrovicë, 21 gusht 2011, NOA – Pas një marrëveshjeje mes serbëve dhe forcave të KFOR-it është liruar rruga në fshatin Leshak të Leposaviçit.
Rruga u zhbllokua pasi KFOR-i dhe EULEX-i përmbushën kërkesat e serbëve, duke iu treguar urdhrin nga Prokuroria ndërkombëtare për të konfiskuar eskavatorin, për të cilin ishte nisur në atë zonë.
Paskëtaj forcat e KFOR-it dhe EULEX-it u lejuan të kalojnë bën me dije dije e përditshmja Koha Ditore.
Tani situata është qetësuar pas konfiskimit të eskavatorit të ndërmarrjes paralele serbe ‘Serbija Shume’, tha i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Leposaviçit, Branko Niniç. Fillimisht EULEX-i arrestoi rojtarin e kësaj ndërmarrjeje, pasi ai nuk kishte lejuar forcat ndërkombëtare që të merrnin eskavatorin.
Rojtari serb u lirua vetëm pasi u hoqën barrikadat.
I gjithë operacioni në Leposaviç u krye nga EULEX-i e policia e Kosovës, ndërsa u mbështet edhe nga KFOR-i, njoftuan zyrtarë të EULEX-it.
Më herët Koha.net njoftoi se një grup serbësh kishin bllokuar në orët e para të mëngjesit një njësi të KFOR-it në fshatin Postenje të Leshakut.
Hetimet e nisura nga EULEX-i kanë vijuar në fshatin Postenje të Leshakut, ku hetuesit, me urdhër të prokurorit, kanë hetuar mbi një buldozer që dyshohet se ishte përdorur për shkatërrimin e pikës kufitare në Jarinjë me 27 korrik.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Wichter, tha për KTV se mjeti është marrë nga hetuesit, dhe kur kanë dalë në rrugën kryesore për Mitrovicë, janë bllokuar nga serbët lokal.
Sipas Wichter, ekipi i EULEX-it në shoqëri të KFOR-it, ka provuar të përdorë një rrugë tjetër, por kanë hasur në një bllokadë tjetër të serbëve lokalë.
Sipas tij, kishte konfuzion në zonë dhe banorët nuk kishin dijeni se aksioni ishte pjesë e hetimeve me urdhër të prokurorit special. Po ashtu raportohet se helikopterë të KFOR-it prej mëngjesit janë duke fluturuar mbi Leshak, i cili gjendet afër Leposaviçit, ndërsa vërehet shtimi i ushtarëve të KFOR-it në këtë anë.
Forcat e KFOR-it kanë bllokuar anën e majtë të bregut mbi lumin ‘Ibër’ që të çon për në pesë fshatrat boshnjakë të Leposaviçit, Rvatska, Beberishte, Vrba, Kalini i Poshtëm dhe Kalini i epërm, rrugë kjo që dyshohet se deri tani është përdorur nga kapot serbë të krimit për kontrabandimin e mallrave nga Serbia.
Nëpër këtë rrugë në Kosovë kanë hyrë dhe dalë ilegalisht edhe Borko Stefanoviç e Goran Bogdanoviç.
I ashtuquajturi kryetar i komunës së Leposaviçit, Branko Niniç theksoi se KFOR-i ka tentuar të okupojë një objekt të Pylltarisë së Serbisë.
Sipas tij, banorët kanë bllokuar rrugën që dërgon në këtë objekt dhe KFOR-i ka mbetur i ngujuar.
Niniç thotë se rruga e bllokuar është e vetmja që të dërgon në këtë objekt dhe është e pa mundur që KFOR-i të tërhiqet.
Ai nënvizoi se po zhvillohen bisedime për zgjidhjen e këtij problemi.
Grupi i serbëve përbëhet nga pjesëtarë të MUP-it të Serbisë dhe Mbrojtjes territoriale serbe, ndërsa mbështeten edhe nga persona të armatosur.
Koha Ditore/NOA