Tripoli, 21 gusht 2011, NOA – Ndërsa Tripoli përjetoi të shtunën një natë shpërthimesh dhe të shtënash mes kryengritësve antiqeveritarë dhe forcave të ushtrisë, regjimi i kolonelit libian Muammar Gheddafi deklaron se s’do të heqë dorë nga mbrojtja e kryeqytetit.
Mijëra ushtarë dhe vullnetarë janë gati të japin jetën për mbrojtjen e Tripolit të kërcënuar nga kryengritësit, bënë me dije zyrtarë të regjimit të Gheddafit.
Sipas dëshmitarëve mbrëmë nisi ofensiva finale e kryengritësve që mori jetë në zonën e Tajoura-s, që ndodhet në pjesën lindore të kryeqytetit Tripoli dhe u përshkallëzua në lagjet e tjera të kryeqytetit libian.
Një turmë e madhe, thonë dëshmitarë të zonës iu drejtuan rrugëve të Tripolit në përpjekje për t’i dhënë një grusht të fortë regjimit të kolonelit.
“Tani është ora Zero” lajmëruan kryengritësit në Bengazi, ndërkohë që regjimi i Gheddafit siguron të vetët se Tripoli është i rrethuar nga mijëra persona që do të luftojnë deri në vdekje për ta mbrojtur regjimin.
“Qyteti është i shpëtuar”, tha zëdhënësi i Gheddafit, Mussa Ibrahim, pasi kryengritësit janë smbrapsur.
Më pas përleshjet mes protestuesve anti-qeveritarë dhe forcave të Gheddafit u zhvendosën në aeroportin e Mitigës, ku u vranë një numër i madh kryengritësish të armatosur, bënë me dije burime nga forcat e opozitës.
Në mesazhin më të fundit audio të kolonelit libian, i transmetuar nga televizioni shtetëror libian, Muammar Gheddafi falenderoi forcat e tij për eliminimin e minjve siç i quan Gheddafi protestuesit anti-qeveritarë.
Ai deklaroi se duhet t’i jepet fund kësaj maskarade, duke i bërë thirrje forcave të ushtrisë se duhet të marshojnë për të çliruar qytetet e shkartërruara.
Më pas komentoi edhe deklaratat e presidentit francez Nicolas Sarkozy, duke e akuzuar atë se kërkon të vjedhë naftën e Libisë.
Por, zëdhënësi i kryengritësve Ahmed Jibril deklaroi se në Tripoli është në vijim “Operacioni sirena”, që synon izolimin e Gheddafit në Tripoli, një aksion i ndërmarrë në bashkëpunim me forcat e NATO-s.
Sipas Jibril, operacioni parashikon përleshje të shumta në ditët në vijim që do të pasojnë me izolimin e Gheddafit tij në strofullën e tij.
Skenari “Sirena” përcakton ose dorëzimin e Gheddafit ose arratisjen e tij në ndonjë vend tjetër.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm u shfaq në media djali i Gheddafit, Saif al Islam, i cili siguroi se regjimi nuk do ta braktisë betejën, porse ofroi edhe zgjidhjen duke i ftuar në dialogu me kryengritësit.
“Nëse doni paqe jemi gati” deklaroi djali i kolonelit libian, Saif al Islam.
mit/NOA