English

Malaj: Më shumë demokraci brenda partive

Tiranë, 21 gusht 2011, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, shprehet se ndryshimet kushtetuese duhet të prodhojnë më shumë demokraci edhe brenda vetë partive politike. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai flet edhe për raportin e Misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit si dhe debatin brenda PS-së lidhur me kursin e ri që do të nisë në shtator.

Zoti Malaj, tri ditë më parë, misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit. Si do ta cilësonit ju këtë raport, i cili, si edhe më parë, është lexuar në mënyra të ndryshme nga të dyja palët? Ky raport duhet vlerësuar për analizat e tij lidhur me problematikën e disa zgjedhjeve në vendin tonë. Raporti duhet respektuar në implementimin e rekomandimeve të tij për daljen nga kriza politike. Pritej që raporti të ngjallte diskutime të gjata, sidomos për vlerësimin e zgjedhjeve. Kredibiliteti i institucioneve që e kanë përgatitur këtë raport i jep atij një peshë të rëndësishme në vlerësimet e pritshme që do t‘i bëhen vendit tonë për statusin e vendit kandidat. Raporti thekson se ka ndërhyrje të tepruara nga partitë politike gjatë procesit zgjedhor, duke shtuar trysninë politike mbi organet vendimmarrëse të zgjedhjeve. Këto organe duhet të punojnë dhe të vendosin larg presionit politik. Para zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor do të duhet të ndryshojnë. Raporti, që në hyrje të tij, shprehet se zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese. Mendoni se kjo fjali e thënë nga ndërkombëtarët bie ndesh me pretendimet tremujore të Partisë Socialiste për manipulimin e zgjedhjeve, veçanërisht në Tiranë? Është e vërtetë që zgjedhjet në Tiranë janë pika më e dobët e zgjedhjeve vendore 2011. Pas rritjes së transparencës së proceseve zgjedhore, pas aksesit dhe influencës në rritje të media vizive dhe të shkruara, votuesit tanë kanë më shumë mundësi të drejtpërdrejta të vlerësojnë gjithë procesin dhe fituesit. Raporti thekson se vendimet e gjykatave duhet të respektohen edhe pse në vendimmarrjet e tyre ka vend për interpretime. Respektimi i vendimeve të institucioneve mbetet një kusht i domosdoshëm për respektimin e shtetit të së drejtës. Partia Socialiste e vlerësoi raportin si një konfirmim të pretendimeve të saj për këto zgjedhje. Kryetari Rama u shpreh se me këtë KQZ dhe këtë Kolegj nuk mund të ketë më zgjedhje, teksa foli sërish për nisjen e një kursi të ri në shtator. Si do ta vlerësonit ju këtë qëndrim të opozitës në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar? Dalja e raportit duhet t‘i shërbejë PS për të qartësuar objektivat dhe taktikat e saj politike në raport me sfidat e vendit dhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare 2013. Si zakonisht, debatet për gotën gjysmëplot dhe gjysmëbosh do të dominojnë median, por partitë politike, pa vonesë, duhet të fillojnë diskutimin rreth rekomandimeve. Nuk duhet të përsëritet gabimi më mosrespektimin e rekomandimeve për problematikën e zgjedhjeve të vitit 2009. Implementimi rekomandimeve të fundit do të kërkojë ndryshime ligjore, të cilat opozita duhet t‘i diskutojë në Parlament. Kjo nuk do të thotë që PS-së, pasi i “kanë vjedhur dy herë votat”, ka ulur kokën dhe po kthehet në Parlament. Kjo nuk do të thotë se kthimi i PS në Parlament e bën PD-në fituese morale të zgjedhjeve vendore. Në tetor vendi do të marrë vlerësimin për statusin e vendit kandidat të BE-së, ku nota përfundimtare do të jetë për qeverinë dhe qeverisjen e vendit. Si do të ndikojë vlerësimi i zgjedhjeve vendore në aplikimin për statusin e vendit kandidat? Raporti OSBE/ODHIR-it vlerëson me notë kaluese standardet e zgjedhjeve vendore. Pas kësaj, bojkoti i Parlamentit do të konsiderohet pengesa kryesore e ecjes së vendit në procesin e integrimit. Jo vetëm për mua, si qytetar dhe deputet i vendit tim, kjo nuk është e vërtetë. Vendi ka probleme të rënda të krizës institucionale. Vendi ka probleme të mprehta me keqpërdorimin partiak të administratës publike, me pavarësinë reale dhe korrupsionin e Gjyqësorit. Vendi ka probleme kritike me të drejtën e pronës dhe korrupsionin me pronat. Korrupsioni në shërbimet publike ka përhapje epidemike. Vendi ka probleme ekonomike të shumta, që dëmtojnë zhvillimet e ardhshme ekonomike nga kapja e shtetit në dhënien me koncesion të pasurive tona natyrore dhe keqadministrimin e financave publike. Përqendrimi abuziv i pushtetit dhe pasurisë po cenon ndjeshëm kohezionin dhe solidaritetin social. Të gjitha këto probleme dhe sfida jo të lehta spostohen si shqetësimet tona prioritare për shkak të krizës së tejzgjatur politike. Ndaj, rekomandimet duhet të analizohen në raport me reduktimin e rrënjëve të krizave tona politike. Ato mund të mos jenë të vetmet, mund të plotësohen. Këto rekomandime duhen parë si pjesë integrale e reformave më të plota. Por, në asnjë rast diskutimi, miratimi dhe implementimi i tyre nuk duhet të spostohen në kohë dhe të dëmtohen në thelb nga grindjet dhe krizat politike. Mundësia për një zgjidhje për të dalë nga kriza e tejzgjatur politike nuk duhet monopolizuar nga asnjë prej kryetarëve të partive politike. Kundër asaj që ka deklaruar Rama, se “protestat nuk i bën opozita, por populli”, ka pasur edhe zëra radikalë, si Erion Braçe, të cilët flasin për një qëndrim më të ashpër të opozitës si në rrugë, ashtu dhe në Parlament. Drejt cilit krah duhet të shkojë PS-ja sipas mendimit tuaj? Duhet të qartësojmë diferencën midis qëndrimit konsekuent në mbrojtje të votës dhe radikalizimit të PS-së, deri në shndërrimin e opozitës më të madhe të vendit në parti jashtë institucioneve. Askush në lidershipin politik të PS-së nuk mund, për asnjë arsye, të marrë flamurin se po mban nën kontroll radikalizimin e anëtarësisë së PS-së. Por, të gjithë ne, me përgjegjësi maksimale, duhet të rrisim efikasitetin e opozitës shqiptare, të rrisim ndërgjegjësimin e opinionit publik për demokraturën në të cilën qeveriset vendi ynë. Partia Socialiste, që nga krijimi i saj, nuk ka pasur as në programin e saj politik, as në programin e saj qeverisës, as në strukturat e saj organizative, as në anëtarësinë dhe mbështetësit e saj, element ideologjik radikal apo strategji fituese, mbështetur në politika dhe veprime radikale. Kohët e fundit janë shfaqur disa mentalitete dhe veprime radikalizuese. Ato kanë dëmtuar efikasitetin politik të PS si opozita më e madhe e vendit dhe kanë fshehur dështimet reale të qeverisë “Berisha”. Asnjë tendencë radikalizuese nuk duhet të dominojë zhvillimet e ardhshme politike në PS. Shpresa dhe jo frika duhet të jetë aleatja jonë e fitores. Dalja nga vija zyrtare e partisë e disa prej deputetëve, siç jeni ju, Islami dhe Harasani, nuk është pëlqyer nga pjesa tjetër, e cila ka arritur deri aty sa të flasë edhe për përjashtimin nga Grupi Parlamentar. Cili është qëndrimi juaj? Rritja e disa zërave për radikalizim dhe tendenca për të humbur kohë në debate të brendshme dhe me aleatët tanë se kush është realisht për kontribute pozitive ndaj vendit të tij dhe PS-së, dhe kush është për radikalizimin si e vetmja strategji e fitores, do t‘i humbasë PS-së shumë energji të domosdoshme për fitoren. PS duhet të plotësojë misionin e saj politik si partia më e madhe opozitare në Parlamentin e vendit të saj. Në shtypin e ditës, deputetët që kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër janë vlerësuar si “të vjetrit”, që kërkojnë “të ikë i vjetri”. A ka lidhje kjo me turin që keni nisur ju prej disa javësh në rrethe? Duke ndjekur nga afër shkrimet dhe debatet politike rreth këtyre takimeve, falënderoj të gjithë analistët dhe kolegët deputetë. Askush prej gazetarëve nuk duhet paragjykuar për analizat dhe qëndrimet individuale. Ndërsa, nëse flasim për median si pushtet i katërt, kjo ka të bëjë me misionin e saj në funksion të sfidave të çdo vendi, deri edhe të sfidave globale. Raportet vjetore për lirinë e medias i vlerësojnë gazetarët që sakrifikojnë për të promovuar vlerat më të mira dhe jo ata që u ofrojnë politikanëve shërbimet private më të mira. Ngjarjet e fundit në botën mediatike kanë qartësuar rrezikun që i vjen demokracisë nga të gjithë ata që e përdorin pushtetin e medias për përfitime dhe influenca abuzive. Zhvillimet në PS, në asnjë rast nuk duhet të marrin trajtën e luftës midis gjeneratave. Zakonisht, freskimi dhe gjallërimi i partive politike është proces evolues dhe jo revolucionar. Në vendin tonë, dhe jo vetëm në PS, janë me qindra të rinj jo thjesht në moshë të re, që e duan demokracinë, që e mbështesin modelin social demokrat, por që pengohen në angazhimin e tyre. Janë me qindra të rinj që zhgënjehen me strategjitë e fitores që nuk mbështeten te merita dhe karriera e suksesshme, por te promovimet spontane dhe ekipet e besnikëve personalë. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka shprehur pendesën e tij për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke kërkuar nga maxhoranca të pranojë sërish kërkesën e saj për rishikimin e ligjit themeltar të shtetit. Sipas jush, është e mjaftueshme kjo deklaratë e kryesocialistit? Mendoni se Kushtetuta duhet t’u nënshtrohet sërish ndryshimeve për të cilat thatë se në vitin 2008 u bënë për 6 minuta? Vazhdoj t‘i përmbahem analizës në Kryesinë e PS-së në atë kohë (dhe mosvotimit të tyre nga ana ime në Parlament), se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 nuk erdhën nga mungesa e padijes (vendi ka ekspertë të shkëlqyer të së drejtës kushtetuese), nuk erdhën nga urgjenca për marrëveshje historike apo nga dëshira e mirë për të reduktuar krizat politike në vend (pas 2008-s vendi ka rreth dy vjet në një krizë permanente), por janë produkt i mentalitetit tepër të dëmshëm njerëzor dhe politik. Disa politikanë mendojnë se shqiptarët nuk meritojnë më shumë demokraci, nuk meritojnë më shume liri, ata meritojnë të drejtohen me dorë të fortë. I njëjti mentalitet duket qartë në organizimin dhe drejtimin e partive politike, duket qartë në krizën institucionale në vend. Çdo reformë kushtetuese duhet të rrisë liritë tona politike dhe ekonomike, duhet të reduktojë deficitin demokratik, duhet të kufizojë pushtetet absolute, duhet të vendosë një balancë dhe kontroll më të mirë midis tri pushteteve dhe duhet të kthejë besimin te institucionet kushtetuese. Për të ardhmen tonë europiane na duhet më shumë, dhe jo më pak demokraci në partitë tona politike dhe në qeverisjen e vendit.

KOMENTE
  • Alban Memushi18:04 - 21 Gusht 2011
    Z Malaj nuk eshte radikal populli opozitar por pushteti. Pushteti qe e kane zabtuar mafiozat , pushteti qe eshte kap nga sal kapo e der tek ilir plehra ! Partia socialiste nuk ka per te fituar kurre me njerez si ju qe nuk i thoni nje zeri te tere se kriminelet kane zaptuar pushtetin e se lene . S'ka si le pushtetin sale krimineli qe ka shit te tere armatimin e shqiperise qe shet akoma dhe kufijt e vendit per pushtet , qe vret njerez ne mes te dites si kadafi ne tripoli . Nuk mund te iki me vote ilir meta qe kerkohet akoma nga FBI si kriminele . Opozita nuk ka bere azgje, akoma e presin s'fida shume me te renda se mafia ka pushtet e mbrohet me keta psefto gjyqtare. Se mafja i te blen e ben si thot ajo i te vret . Ti ke zgjodhe nga keto dyja !?.
  • sotir Labi17:57 - 21 Gusht 2011
    Ik more i pa fytyre,se u bere si klluon cirku,legen dhe shkuar legenit.Si frymor qe mer pjese ne politiken Shqiptare(jo politikan),mendoje se duhet te luftosh per idealet e asaj teorie qe kerkonte barazi sociale kur zotrote fillove ekonomikun naten ne qytetin e Vlores,dhe meqenese pantallonat e tua binin era shure,e beje rugen per tu kethyer ne shtepi ne Llakatund,ne kembe,mbasi dhe boti i qumeshtit qe kethehej ne oret e vona nga Vlora,nuk te merte se qelbje era shure.Keto ti i harove,se me futjen ne PS,te iku era e shures se te mbuloje flladi i parave te pista qe vure ne kohe rekorde,dhe tani ske k..qe te kundershtosh banditin Sali,se ta leron ai mire para dhe mbrapa,ti shkul dhembet e ti mer prape ato qe vure me futjen ne PS dhe te kethen te era e shures.Te fala nga Dane Hoxha(dyfeku),Llakatunde,Vlore.