Pukë, 21 Gusht 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Gjëja më pak e shtrenjtë për një të ri në Pukë ishte prej disa muajsh vetë jeta e tij dhe për t’i dhënë fund asaj, bëri disa përpjekje të njëpasnjëshme që ta humbte.
Këtë duket se e ka arritur duke u vetëvarur në një pemë ku u gjet plot tre muaj pasi ishte zhdukur nga shtëpia ku jetonte me familjen.
Nikoll Prendi 36 vjeç, banues në fshatin Lumbardhë të Komunës Qafë-Mali, rrethi Pukë është gjetur i vetëvarur sot në orët e paradites, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Shërbimet policore të Komisariatit Pukë së bashku me grupin hetimor të përbërë nga specialistë të Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër kryen veprimet hetimore nga ku rezulton se viktima, është gjetur i vetëvarur me litar në një degë pishe, pikërisht në një zonë të pyllëzuar, larg vendbanimit të tij.
Nga deklarimet e të afërmve të viktimës, u konstatua se i ndjeri, kishte rreth tre muaj që ishte larguar nga shtëpia dhe se familjarët e tij kishin dyshuar se mund të ishte jashtë shteti, veprim këtë të cilin 36 vjeçari e kishte bërë dhe herë të tjera.
Shkaku i vetëvarjes, dyshohet të jetë gjendja psikologjike e viktimës si pasojë e çrregullimeve mendore.
r.d/e.t/NOA