Shkodër, 21 gusht, NOA - Vatra e zjarrit të fuqishëm që ra dje në malin e Taraboshit në hyrje të Shkodrës vazhdon të jetë aktive edhe sot. Edhe pse kërcënimi dhe madhësia e zjarrit nuk është e njëjtë me atë të gjatë orëve të natës, sërish në Shirokë dhe Tarabosh, vazhdon të digjen sasi e konsiderueshme pylli.
Zjarri rrezikoi një numër banesash dhe biznesesh private. Flakët rrezikuan dhe antenat e telefonisë celulare dhe televizioneve qendrore dhe lokale.
Ndërhyrja e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse gjatë mbrëmjes së djeshme ka qenë e paefektshme, për shkak të terrenit malor dhe shpejtësisë së përhapjes së flakëve. Flaktët e zjarrit rrezikuan dhe punonjësit që mirëmbanin antenat e telefonisë dhe të të televizioneve në këtë mal.
Zjarret po kthehen në një problem serioz për gjithë Qarkun e Shkodrës. Gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar të paktën 8 zjarre në sipërfaqet pyjore. Specialistët e shërbimit pyjor dyshojnë se këto zjarre janë vënë qëllimisht.
a.k/NOA