Nga Aron Shtain
Ndërsa marrëdhëniet siriano-turke nisin të acarohen lidhur me shtypjen brutale nga regjimi i Asadit, këndvështrimet e ndryshme mes Iranit dhe Turqisë mund të krijojnë vështirësi për marrëdhëniet Turqi-Iran. Të nxitura nga një interes i ndërsjellët në shtypjen e nacionalizmit kurd dhe ndërvarësinë në rritje të energjisë, marrëdhëniet Turqi-Iran fituan vrull të ri në mesin e viteve 2000. Afrimi diplomatik përkoi më së shumti me zgjedhjen e AKP-së në pushtet dhe miratimit prej saj të politikës së jashtme "pa probleme".
"Marrëdhëniet mes të dy vendeve janë përmirësuar mjaft shpejt lidhur me bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Të dy ato kanë një numër interesash të përbashkët në Lindjen e Mesme që i kanë afruar. Megjithatë, gjendja në Siri ka mundësinë për të krijuar mjaft tension," i tha SETimes Alireza Nader, një analist i politikës ndërkombëtare në RAND Corporation.
Interesat iraniane dhe turke në stabilitetin sirian konverguan në fund të viteve 1990-të, ndonëse për arsye krejt të ndryshme. Mirëkuptimi turko-sirian u shty nga dëshira e Ankarasë për të luftuar PKK-në, si dhe për të zgjeruar praninë ekonomike të Turqisë në Lindjen e Mesme. Për Iranin, Siria ka qenë për një kohë të gjatë pika e tij e hyrjes në konfliktin Izraelo-Palestinë dhe konfliktet e tjerë që ziejnë në Lindjen e Mesme. "Irani është shumë i varur nga regjimi i Bashar al-Asadit për ndikimin në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Levant dhe Liban," sipas Naderit. "Përveç Sirisë, Irani nuk ka ndonjë aleat të madh. Nëse regjimi bie, kjo mund të dobësojë ndikimin e Iranit." Elliot Hentov, një ekspert i marrëdhënieve turko-iraniane, është dakort, duke i thënë SETimes se nëse regjimi sirian bie, "të gjitha veglat e Iranit për të hyrë në konfliktin arabo-izraelit do të humbasin. Kjo do të riforcojë izolimin rajonal të Iranit." Skenari më i mirë për Iranin është nëse "Asadi disi mban pushtetin dhe mbetet një aleat i dobësuar."
Turqia, nga ana e saj, "po provon të dy shanset", thotë Naderi. "Ajo ende mban lidhje me regjimin e Asadit ndërsa shoqërohet me opozitën dhe dënon shtypjen." Megjithatë, pas muajsh kontakti në të gjithë nivelet e qeverisë, durimi i Turqisë po arrin një pikë të kthimit. Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu tha më 16 gusht, pa përpunuar kërcënimin, se nuk kishte mbetur asgjë për të folur me regjimin sirian nëse operacionet kundër civilëve nuk ndërpriten menjëherë.
Irani ka marrë disa hapa paraprakë për t'u përgatitur për një Siri të pas-Asadit. Alaedin Boroujerdi, kryetari i Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme i parlamentit të Iranit, u tha gazetarëve se "Irani mbështet përpjekjet nga bota muslimane dhe vendet në rajon për t'i dhënë fund krizës në Siri," sipas Press TV të Iranit. Megjithatë, ai nuk kritikoi drejtpërdrejti Asadin, duke zgjedhur në vend të kësaj që të fajësonte Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e protestave dhe përkrahjen e protestuesve. Ndërsa Irani njoftohet se ka ndihmuar regjimin e Asad në shtypjen e protestuesve, Turqia ka punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Europën për të përcjellë një mesazh të unifikuar, që i kërkon Asadit të reformohet dhe t'i japë fund dhunës. Në të njëjtën intervistë, Boroujerdija, e cilësoi Turqinë për mbajtjen e një "toni kërcënues" që shtyn Ankaranë të marrë një qëndrim më "vigjilent" përballë Sirisë. Ai kritikoi gjithashtu Turqinë për ndalimin e mbështetjes së dyshuar të saj për Iranin, Sirinë dhe Hezbollahun. Sipas Hentovit, ngritja e retorikës anti-turke është "më shumë se një gungë në rrugë dhe është në vend të kësaj një tregues i çështjeve më të thella". "Turqia dhe Irani nuk janë rivalë të ashpër, por konkurrentë" në Lindjen e Mesme, thotë Naderi. "Kjo nuk do të thotë se konkurrenca do të kthehet në rivalitet të drejtpërdrejtë, por mund të japë mjaft tension, veçanërisht nëse Asadi bie dhe Irani e sheh Turqinë se mbështeti rënien e tij."