Vlorë, 21 gusht 2011, NOA/Rid Bulku – Gjashtë ditë nga vjedhja e bankës BKT në qytetin e Vlorës nga tre grabitës të maskuar, Policia e Vlorës ka arrestuar një person të dyshuar si autor të vjedhjes.
Blutë e Vlorës bëjnë me dije se sot rreth orës 14:00 u arrestua 24-vjeçari Aleksandër Seftedin Sinanaj, një person me precedentë të mëparshëm penalë, lindur në fshatin Velçë të Vlorës dhe banues në fshatin bregdetar të Radhimës në Vlorë.
Aleksandër Sinanaj dyshohet si një nga grabitësit e maskuar të Bankës Kombëtare Tregtare që ndodhet në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës, një ngjarje që ndodhi në 15.08.2011.
Sipas policisë në momentin e ndalimit Aleksandër Sinanajt iu gjet dhe sekuestrua një gram lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.
24-vjeçari është nën akuzë për veprat penale të vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit me armë si dhe prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Ndërkohë hetimi i policisë vijon ende.
Vjedhja e bankës BKT në mes të ditës terrorizoi klientët e saj që ndodheshin në momentet e grabitjes, ndërsa tre persona të armatosur u drejtuan armën.
Sipas policisë pas grabitjes së filialit të Bankës Kombëtare Tregtare pranë Sheshit të Flamurit tre personat e armatosur me armë zjarri dhe të maskuar, u larguan me një automjet tip Mercedes-Benz pa targa, ngjyrë vishnje.
Më pas të ndjekur nga policia në vendin e quajtur “Rruga e Re” përpara bankës Raifeissen grabitësit braktisën automjetin duke u larguar në këmbë në drejtim të kodrave të qytetit.
Pas disa ditë gjurmimesh policia arriti të kapë njërin prej grabitësve që është Aleksandër Sinanaj, por vijon kërkimin e grabitësve të tjerë.
mit/NOA