Prishtinë, 21 gusht, NOA - Një prej intelektualëve më të shquar shqiptarë, Arben Xhaferi, flet në lidhje me kërkesën e shtetit turk për Kosovën që ta korrigjojë historinë e saj - në pjesën ku flitet për turqit.
Xhaferi thotë se kjo nuk guxon të ndodhë. “Me këtë bëhen përpjekje që jo vetëm ta ndryshojnë të vërtetën historike, por edhe imazhin e turqve”, thotë ai.
Si e komentoni kërkesën e Ministrit turk të Arsimit, Omer Dincer, i cili po viziton Kosovën, për ndryshimin e teksteve të historisë, të cilat, sipas tij, janë ofenduese për popullin turk dhe personalitetet e këtij vendi?
Fjalët e urta popullore kanë konotacione të shumëfishta dhe vlejnë për situata të ndryshme. Populli thotë “ujku qimen e ndërron, por vesin jo”. Kemal Ataturku, Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, e ndërroi karakterin e rendit shoqëror politik të Turqisë, por nuk arriti ta ndryshojë mendësinë e popullit, apo thënë më saktë të një elite që mendonte me kategori imperiale. Politika e Ataturkut, i cili e kuptonte mirë katandisjen e Turqisë për shkaqe, ambicie joreale politike, filloi të praktikojë një variant të izolacionizmit. Mirëpo, pas tij erdhën politikanë që sërish shfaqnin tendencën për ringjallje të politikës së dikurshme imperiale. I pari që kishte ambicie të këtilla ishte Presidenti Turgut Ozall (1989-1993), pastaj presidenti Demirel (1993-2000) dhe tani këtë mision e vazhdon me shumë energji, Presidenti aktual, Abdulla Gyl, sidomos kryeministri Erdogan, i këshilluar orë e çast nga Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Davutogllu.
Këto tendenca, ambicie imperiale si moto kryesore e kanë tezën se periudha osmane ka qenë një rrëfim i suksesshëm (success story) dhe jo një okupim i egër. Me këtë bëhen përpjekje që jo vetëm ta ndryshojnë të vërtetën historike, por edhe imazhin e turqve. Kjo tezë fillon nga konstatimi se Perandoria Osmane nuk ishte okupatore e jashtme, por erdhi në një hapësirë gjeografike të pasunduar, ngjashëm si popujt evropianë që krijuan shtetet e tyre të reja në Amerikë. Krahas kësaj, ata gjithnjë në kuadër të tendencës së shlyerjes së kujtesës historike, sundimin osman dëshirojnë ta paraqesin si bashkëqeverisje (condominium) duke përmendur me këtë rast pashallarët, vezirët dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë, serbë, boshnjakë etj. Natyrisht se këto pohime janë një pjesë e së vërtetës. Pjesa tjetër e vërtetës janë: kryengritjet e shqiptarëve, katandisja tragjike e figurave historike shqiptare, si Pjetër Bogdani, ose ndalesa e përdorimit të gjuhës shqipe, ose mosdhënia e statusit “milet” për shqiptarët. Natyrisht se ka edhe shumë fakte dëshpëruese, të cilat nuk mund të eliminohen në librat e historisë, ngaqë, nëse ndodh kështu, atëherë ne vetë do ta shlyenim historinë tonë. Kjo kërkesë e Ministrit të Arsimit, Omer Dinxher (Dincer), është vetëm një segment i kontestimit të politikës së mençur të babait të kombit turk, Ataturkut, përkatësisht maksimës së tij “Paqe në vend -paqe në botë”. Me rrënimin e këtij parimi do të krijohen probleme të panumërta, sidomos me shtetet ortodokse, me Greqinë, Serbinë, Bullgarinë dhe sidomos me Rusinë.
Tendenca për korrigjim post festum të historisë u manifestua me përmirësimin e marrëdhënieve me Armeninë. Mirëpo, Turqia nuk do të arrijë, pikërisht për shkak të përvojave të hidhura historike të armenëve, të krijojë marrëdhënie të ngushta me këtë popull, por gjithsesi do të ndodhë ajo që ndodhi: prishja me një shtet dhe popull turqishtfolës, me Azerbajxhanin dhe me azerët.
Ministri i Arsimit, Ramë Buja ka pranuar lehtësisht kërkesën e homologut të tij duke pranuar që të bëhet eliminimi i këtyre paragrafëve. Si mund të shpjegohet ky qëndrim “bashkëpunues” i z. Buja?
Duke i njohur bindjet e z. Ramë Buja, përcaktimet e tij kombëtare, nuk besoj se ai do të pranonte një propozim të këtillë. Pranimi i kësaj kërkese luksoze të Ministrit turk të Arsimit nënkupton destabilizimin e menjëhershëm të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Shqiptarët e krishterë do të reagonin menjëherë dhe natyrshëm kriza do të marrë përmasa të humbjes së besimit të ndërsjellë. Një kompromis i këtillë absurd do të shënonte fillimin e qëndrimit jolojal të një pjese të madhe të shqiptarëve ndaj shtetit, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Janë bërë shumë përpjekje, të cilat do të vazhdojnë për të hequr gjuhën e urrejtjes në librat e historisë të popujve të Ballkanit, mirëpo të gjitha këto kanë dështuar. Këto tendenca do të vazhdojnë dhe ekziston mundësia që në kuadër të këtij projekti rajonal të gjendet një zgjidhje e pranueshme edhe për këtë problem.
Ministri turk, Dinxher, në kërkesën e vet përdor një fjalor diplomatik, pa fjalë që mund të irritojnë jo vetëm homologun e tij, por një popull të terë. Ai kërkon që të hiqen paragrafët që e fyekan dinjitetin e popullit turk. Por, nuk i qartëson ato. Nga ana tjetër, edhe Ministri shqiptar, z. Ramë Buja, po ashtu flet më një gjuhë jokonkrete diplomatike duke pohuar se kjo kërkesë është në shqyrtim e sipër. Por, besoj se të dy ministrat e kanë të qartë se ndryshimet e kësaj natyre janë rrënuese për shqiptarët dhe të panevojshme për turqit.
Ju keni qenë kritik ndaj qasjes së politikës së Ankarasë dhe Ministrit të Jashtëm, Davutoglu ndaj Ballkanit. A mendoni se autoritetet në Kosovë duhet t’i definojnë saktësisht raportet me Turqinë, pasi deri më tani në këtë aspekt ka pasur më shumë eufori?
Ministri i Jashtëm turk, z. Davutogllu, si çdo intelektual që hyn në politikë, përpiqet të krijojë një doktrinë politike koherente. Ai ka qenë ligjërues në Universitetin e Bilkentit, në zemrën e opsioneve të kësaj natyre që sot njihen me nocionin “neoosmanizëm”. Ai u bë këshilltar i Kryeministrit turk, Erdogan, në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2009, për shkak të atraktivitetit të doktrinës së tij neoosmane, u emërua për Ministër të Punëve të Jashtme. Premisat kryesore të tij janë rikthimi i Turqisë në Ballkan si dhe eliminimi i të gjitha problemeve me fqinjët. Apelet e tij kanë edhe konotacione fetare.
Ai publikisht shtroi një dilemë: pse t’i kemi marrëdhëniet e këqija me shtetet myslimane, Iranin, Sirinë, Irakun dhe të kemi raporte të mira me Izraelin?! Në vijë të kësaj strategjie të thellë (ai shkroi edhe një libër “Stratejik dirinlik” që shqip përkthehet si “Thellësia strategjike”. Këtë libër e ka botuar në gjuhën shqipe botuesi “Logos” i Shkupit). Mirëpo, nëse disa punë duken se janë shumë të logjikshme dhe koherente, në realitet ato bëhen pengesë dhe i dëmtojnë interesat vitale të popullit dhe shtetit turk. Këto ditë, projekti “armiqësia zero” me fqinjët, sidomos myslimanë, hasi në pengesa që do t’i testojë fjalët, taktikat dhe strategjinë e thellë të Ministrit intelektual turk, Davutogllu. Situata aktuale në Siri do të jetë sprovë e madhe për udhëheqësit turq, ngjashëm me atë në Iran, sidomos deklarata jodiplomatike e tij, ”Askush nuk mund ta pengojë Iranin që ta zhvillojë programin e tij nuklear”, ose ajo e dhënë në Sarajevë: “Ne kemi ardhur këtu para shumë shekujsh, me kuaj. Nëse do të ketë nevojë, do të vijmë sërish”. Këto deklarata të ashpra, jodiplomatike, menjëherë morën përgjigje adekuate nga serbët, që hëpërhë janë favoritë të ministrit turk, Davutoglu : “Neoosmanizmi për të krishterët është njësoj si neonazizmi për hebrenjtë”. Neoosmanizmi, sado që prezantohet si projekt serioz, megjithatë nuk është i tillë. Është një rreng propagandues për përdorim të brendshëm. Intelektualët shpeshherë prodhojnë teori të logjikshme, por që janë të rrezikshme për interesat kombëtare. Një intelektual serb, regjisori GJ. Gjorgjeviq, duke parë këtë harlisje të intelektualëve serbë, deklaroi: ”Armiku më i madh i popullit serb është elita e tij”. Kjo ka ndodhur shpesh në histori.
NOA/Ekspres