Vlorë, 21 gusht 2011, NOA – Zjarret nëpër zona të tëra në mbarë vendin nuk kanë të sosur në këto ditë kur në vend ka pllakosur i nxehti afrikan.
Pas pyjeve me pisha të djegura në malin e Taraboshit në Shkodër, të cilit iu zbulua autori, një vatër e madhe zjarri ka përpirë Qafën e Topit në qytetin bregdetar të Vlorës.
Prej mesditës flakë të dendura zjarri janë përhapur në tërë zonën duke djegur ullinjtë shekullorë traditë në këtë zonë të jugut të vendit.
Në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit që po punojnë për shuarjen e flakëve, por terreni i thyer vështirëson ngjitjen e makinave zjarrfikëse.
Vatra e zjarrit po i përhap flakët nëpër tërë zonën falë ndihmës së erës.
Alarmi për djegien e ullinjve shekullorë bëhet edhe më i fortë kur kujtojmë se qeveria e ka shpallur ullirin si një nga projektet kryesore për zhvillimin e ekonomisë së vendit. mit/NOA