Shkodër, 21 gusht 2011, NOA – Shkak i zjarrit të fuqishëm që përpiu sipërfaqe të tëra pyjore e kullotash në malin e Taraboshit është bërë djegia e disa shkurreve e ferrave nga një banor i zonës.
58-vjeçari Hil Gjoni, dyshohet se është personi që i vuri zjarrin disa shkurreve dhe ferrave në zonën e malit të Taraboshit.
Këtë gjë ai dyshohet ta ketë bërë për shkak se donte të pastronte nga barërat e këqija zonën ku po ndërtonte një shtëpi.
Gjoni dyshohet se i ka vënë zjarrin shkurreve dje rreth orës 16.46, më pas zjarri i ka dalë nga kontrolli duke përpirë pyllin e pishave aty pranë.
Falë erës zjarri është përhapur shumë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqen pyjore të malit e kullotave të Taraboshit, si dhe në disa fshatra të braktisura të Komunës Ana e Malit si dhe në stacionin e TV Rozafës, që ndodhet në majën e malit të Taraboshit.
Pas hetimeve uniformat blu të Shkodrës arrestuan 58-vjeçarin Hil Gjoni, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës.
Ai është nën hetim për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr.
mit/NOA