English

ACR letër minatorëve: Ju plotësuam kushtet, kthehuni nesër në punë

Bulqizë, 22 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Administratori i kompanisë ACR Giga Bedineishvil u ka dërguar një letër minatorëve të Bulqizës në përgjigje të afatit të vendosur prej tyre, ora 14.00 e mesditës së sotme.

Në këtë letër e cila mban firmën e tij dhe vulën e kompanisë, kompania ACR u garanton minatorëve rritjen e pagës në masën 20%, përmirësimin e kushteve të punës si dhe mundësimin e transparencës në realizimin e investimeve.

Në vijim kompania ACR ka ftuar të gjithë minatorët dhe punonjësit e tjerë të kompanisë që të rikthehen në punë me qëllim rimëkëmbjen e minierës, duke filluar nga dita e nesërme në orën 07.00.

ACR deklaron se do i përmbushë të gjitha kërkesat e nënshkruara në dokument, duke shprehur gatishmërinë e kompanisë për zgjidhjen e problemeve të punonjësve.

Sakaq në përfundim thuhet se kreu i konfederatës së sindikatave Kol Nikolla kërkon të mbajë peng minatorët për interesat e tij personale.

Më herët minatorët në ambientet para minierës kundërshtuan të nisin punën pa nënshkruar më parë marrëveshjen me kompaninë ACR për rritjen e pagës me 20 për qind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierën e kromit.

Ndërkaq grevistët e urisë këmbëngulën se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes të jetë i pranishëm edhe kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla gjë e cila nuk aprovohet nga kompania ACR.

Pas kësaj pritet qëndrimi i minatorëve të cilëve u duhet të vendosin nëse e pranojnë marrëveshjen.

a.y/NOA

KOMENTE