Një javë pasi OSBE/ODIHR publikoi raportin final për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke i cilësuar ato si konkurruese dhe transparente, por me shumë probleme, ka reaguar sot edhe ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, i cili theksoi se zgjedhjet nxorën në pah boshllëqet e Kodit Zgjedhor shqiptar.
Në një prononcim për mediat ambasadori amerikan deklaroi se është e domosdoshme kryerja e reformës zgjedhore.
Duke iu referuar raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it, ambasadori Arvizu nënvizoi se raporti tregon qartë nevojën për përmirësimin e Kodit Zgjedhor.
Në prononcimin e sotëm, z.Arvizu preferoi të mos ishte i drejtpërdrejtë si në ditë t e para të tij si ambasador, por anashkaloi thuajse plotësisht pyetjen delikate se si e vlerësonte raporti i OSBE/ODIHR procesin zgjedhor të 8 majit.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan i bëri thirrje partive politike të nisin dialogun për reformën zgjedhore.
Më tej diplomati amerikan vlerësoi se Shqipëria ka infrastrukturë ligjore shumë të mirë, por e keqja është se ligjet nuk zbatohen.
Këtu ai i bëri thirrje partive politike të respektojnë Kodin Zgjedhor.
Ndërkohë raporti final i OSBE/ODIHR-it vlerësoi se procesi zgjedhor i 8 majit u zhvillua në një mjedis tejet të polarizuar, ku u vërejtën rishtas probleme në 10 për qind të qendrave të votimit.
Gjithashtu partitë politike nuk kryen detyrimet e tyre ligjore për një proces zgjedhor brenda standardeve ndërkombëtare.
Sipas raportit ishte i paqartë vendimi i KQZ-së për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, për shkak se sipas vëzhguesve kjo nuk parashikohet shprehimisht në Kodin Zgjedhor.
Vëzhguesit raportuan se Kodi Zgjedhor duhet përmirësuar dhe se është e domosdoshme reforma zgjedhore.
Ndërkohë sipas tyre duhet riparë edhe formula e përbërjes së KQZ-së, pasi sipas tyre kjo aktuale humbi besimin, duke u cilësuar si institucion që funksionoi në mbështetje të njërës palë.