Tiranë, 22 gusht 2011, NOA- Deputeti Taulant Balla reagoi në emër të Partisë Socialiste lidhur me procesin zgjedhor në komunën Shalë dhe numërimin e fletëve të votimit.
Gjatë fjalës së dhënë për mediat ai tha se, “Sali Berisha nuk heq dorë nga vjedhja e zgjedhjeve. Rasti më i fundit është ai i komunës Shalë, ku përballë frikës për humbjen e kandidatit të tij, Saliu ka urdhëruar Ristanin që t’i numërojë ai votat e kësaj komune në Komisionin Qendror të Vjedhjeve. Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shpjegim tjetër për këtë veprim, përveç përpjekjes së Saliut për të manipuluar rezultatin”.
Më tej ai tha se Kryeministri Berisha pasi dështoi me tentativat e tij për t’i vjedhur zgjedhjet në komunën e Shalës me anë të manipulimeve e presionit shtypës nga të gjitha strukturat e regjimit të tij, ka vendosur të përdorë sërish Ristanin për të kryer grabitjen e radhës.
Në vijim Balla tha se nuk mund të ketë numërim të ndershëm e të drejtë nga KQZ në krye të të cilit qëndron një bandit si Arben Ristani, pasi siç tha ai kjo u pa nga të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët.
“Nuk mund të ketë një rezultat të drejtë nga kjo KQZ që identifikohet nga raporti i OSBE-ODHIR-it si institucioni që shkatërroi zgjedhjet lokale të 8 majit. OSBE-ODHIR ka kërkuar shprehimisht riformatimin e KQZ të Ristanit e Saliut çka do të thotë se ky institucion sot nuk ka më asnjë lloj legjitimiteti e besueshmërie”, u shpreh Balla.
Në përfundim ai theksoi se pas këtij diskreditimi nga arbitri ndërkombëtar i zgjedhjeve, i cili konfirmoi të gjitha akuzat e opozitës në adresë të KQZ, ky institucion praktikisht ka reshtur së ekzistuari.
a.y/NOA