Tiranë, 22 gusht 2011, NOA- Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj.
Gjatë këtij takimi ministri kosovar parashtroi një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve si dhe paraqiti situatën ekonomike të Kosovës dhe proceset e privatizimit të sektorëve strategjik të telefonisë dhe energjisë.
Më tej Beqja theksoi se, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe, duke shtuar se nxitja e bashkëpunimit duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare.
“Sektori i prodhimit të energjisë është një sektor tjetër me prioritet për qeverinë e Kosovës, ku ka fushë të madhe bashkëveprimi. Kombinimi i burimeve të energjive të rinovueshme të Shqipërisë me burimet e prodhimit të energjisë nga pasuritë natyrore të Kosovës , si lignit, përben një bazë të fortë për integrimin e sistemeve energjetik të të dy vendeve”, u shpreh Beqaj.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike.
Ai i quajti këto vendime të guximshme si shumë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë ekonomik të Kosovës duke iu referuar shembullit qeverisës të Shqipërisë, e cila falë privatizimeve arriti të ngrejë të ardhurat për frymë nga 204 dollarë në 1992, në rreth 800 dollarë sot.
Është tashmë e faktuar, tha kryeministri Berisha, që menaxhimi i suksesshëm dhe efiçenca e ekonomisë qëndron në anën e sektorit privat.
Në këtë kuadër ai theksoi se edhe ekonomia shqiptare është bazuar thellësisht në privatizime, të cilat janë drejt përfundimit duke mbajtur në sektorin publik vetëm disa asete të rëndësishme energjetike, asetet e sektorit të arsimit dhe të shëndetësisë.
Më tej Berisha tha se qeveria e Kosovës, ashtu si Shqipëria, duhet ta bazojë rritjen ekonomike të Kosovës dhe të mirëqenies të qytetarëve të saj, në shfrytëzimin efiçent dhe transparent të pasurive natyrore të saj, sidomos në sektorin e energjisë.
Kreu i qeverisë shtoi se synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standardeve të jetesës.
Berisha theksoi se bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit, janë në qendër të vëmendjes të qeverisë shqiptare dhe bashkërendimi i punës në këtë drejtim me qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të ekonomive të dy vendeve.
Sipas tij, kombinimi i burimeve natyrore të prodhimit të energjisë të të dy vendeve dhe lidhja e sistemeve energjetik me qëllim unifikimin e tyre, nuk është gjë tjetër veçse rruga drejt krijimit të një modeli të suksesshëm energjetik .
Ndër të tjera ai u shpreh se ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë, jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjetike.
Ministri Besim Beqja theksoi se qeveria e Kosovës, do të vazhdonte me zhvillimin e kapaciteteve termike bazuar në burimet natyrore të Kosovës, të cilat komplementojnë zhvillimin e kapaciteteve hidrike dhe eolike të Shqipërisë.
a.y/NOA