Shkodër, 22 gusht 2011, NOA/Rid Bulku – Pas përmbylljes qetësisht të procesit zgjedhor në raundin e tretë në komunën Shalë të Shkodrës, procesi i numërimit të votave në këtë komunë malore është bllokuar.
Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se shkak për bllokimin është bërë largimi i sekretarit të komisionit zonal.
Sekretari që i përket koalicionit “Aleanca për të ardhmen” është larguar duke marrë edhe vulën me vete, një rast i njohur bllokimi procesi edhe në zgjedhjet paraardhëse.
Sipas burimeve mësohet se bllokimi i numërimit të votave në KZAZ-në 42 ka nisur pas dorëzimit të materialeve zgjedhore të pesë qendrave të votimit të kësaj komune.
Tashmë për zhbllokimin e situatës dhe nisjen e numërimit të votave në Shalë pritet të ndërhyjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhet të marrë një vendim paraditen e sotme, nëse votat do të numërohen në Shkodër apo do të tërhiqen në Tiranë.
Por ajo që dihet është se gjatë përgatitjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit KQZ e kishte parashikuar këtë problem të hasur prej disa palë zgjedhjesh, duke parapërgatitur edhe vula rezervë ashtu sikundër edhe fletëvotimi rezervë, një fakt ky tejet i debatuar dhe kundërshtuar nga anëtarët e opozitës në mbledhjet e KQZ.
Ndërkohë pas marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore të pesë Q.V—ve të komunës Shalë dhe shoqërimit të tyre nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të policisë dhe të RENEA-s mesnatën e të dielës situata është paraqitur e qetë dhe pa asnjë problem.
mit/NOA