English

Duhet pakti kombëtar për integrimin

Nga Ilir Meta

“Duke pasur në konsideratë se së shpejti do të kemi një opinioni të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në emër të LSI-së dua të theksoj rëndësinë e angazhimit të të gjitha forcave politike me qëllim pasjen e një vendimi pozitiv për këtë çështje, fati i të cilit qëndron pikërisht në zbatimin e 12 prioriteteve që përbëjnë një plan pune konkret për të gjithë politikën, në mënyrë të veçantë të legjislativit si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën. Element thelbësor i 12 prioriteteve ishin zgjedhjet dhe tani mbetet reforma e re zgjedhore mbështetur edhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, duke pasur në konsideratë edhe zgjedhjet e fundit vendore.

Në emër të LSI-së unë dua të apeloj për angazhimin e të gjitha forcave politike për realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, që del jashtë kornizave dhe interesave partiake me qëllim pikërisht arritjen e një momenti pozitiv gjatë dy muajve të ardhshëm. Për këtë ne apelojmë që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të ngrihet menjëherë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore dhe njëkohësisht apelojmë që të miratohen menjëherë të gjitha ligjet me shumicë të cilësuar, pasi paketa prej thuajse 16 ligjesh është e gatshme dhe pret vetëm miratimin.

Njëkohësisht ne apelojmë edhe për të plotësuar të gjitha funksionet sikurse është ai i Avokatit të popullit apo edhe raste të tjera, çka do të tregonte një vullnet pozitiv dhe njëherazi të përbashkët të të gjitha forcave politike, të mazhorancës dhe të opozitës pikërisht për të hedhur një hap të ri cilësor në raportet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Z. Meta, a mund të na jepni një koment për lajmet që qarkullojnë nëpër media sipas të cilave u kanë kërcënuar me jetë dhe ju jeni nën mbrojtjen e RENEA-s? Së dyti, ministrat e LSI-së nçë kabinetin qeveritar a gëzojnë besimin tuaj personal të dhe të strukturave të partisë?

Për çështjen e parë mendoj që është një histori e denjë vetëm për “summer page” dhe nuk meriton asnjë vëmendje nga ana ime aq më tepër në një konferencë shtypi e cila ka të bëjë me një çështje shumë të rëndësishme, siç është ajo që unë përmenda. Për të dytën nuk kam asnjë lloj komenti, sepse nuk kam asnjë lloj shqetësimi kështu që për në mbetet vendimtare pikërisht angazhimi i të gjitha forcave politike gjatë këtyre dy muajve, sidomos në fillimin e muajit shtator, pasi në rast se do të përmbushen disa nga elementët që unë përmenda parë, absolutisht që do të ishte një sinjal tepër pozitiv që do të ndikonte, dhe për këtë jam i bindur, në një vendim pozitiv të KE-së dhe të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statutin e vendit kandidat.

Z. Meta, lajmi për kërcënimin tuaj qarkullon prej gati dy javësh në ambientet mediatike, ndërkohë që ju e mohuat kategorikisht. Përse nuk e keni bërë më përpara një gjë të tillë?

Kërkojeni këtë gjë tek ata të cilët i qarkullojnë lajme të tilla.

Sipas të gjitha gjasave opozita do të vendos si kusht për reformën zgjedhor pikërisht ndryshimet kushtetuese. Duke qenë se ju i keni kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, a do t’i mbështesni këtë herë opozitën për të bërë riparimet e duhura në Kushtetutë?

Ne i kemi kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të bëra para disa viteve për arsye sepse ato u bënë me një nxitim tërësisht të pajustifikuar, së dyti në mungesë të plotë transparence dhe natyrisht që qëndrimi ynë vazhdon të mbetet i njëjtë. Fakti që u bënë ndryshime të nxituara nuk do të thotë që për shkak se akne ndryshuar rrethanat politike të atyre që i iniciuan këto ndryshime, pra rrethanat nuk janë të favorshme pasi ju e dini shumë mirë se kush i propozoi ato ndryshime, kjo nuk do të thotë që përsëri të bëjmë veprime të nxituara për arsye të konjukturave politike. Kjo pasi konjukturat politike mund të lëvizin jo vetëm çdo vit por mund të lëvizim edhe çdo muaj. Kjo nuk do të që ndryshimet kushtetuese mund të bëhen çdo vit apo mund të bëhen çdo muaj.

Ndaj ne kemi qenë edhe jemi për realizimin e ndryshimeve të duhura kushtetuese, por natyrisht që ky është një proces që kërkon një konsensus shumë më të gjerë se sa thjesht vullneti ynë dhe së dyti ky është një proces që natyrisht kërkon një kohë shumë të gjatë dhe kërkon një transparencë dhe një gjithëpërfshirje, jo vetëm të faktorëve të brendshëm, pra të klasës politike, jo vetëm të shoqërisë civile dhe të ekspertëve, por edhe të institucioneve ndërkombëtare. Sepse ne Kushtetutën që kemi aktualisht, e kemi bërë me asistencën e Komisionit të Venecias dhe të shumë konstitucionalistëve të njohur evropian.

Por të kushtëzosh reformën zgjedhore me ndryshimet kushtetuese nuk do të thotë gjë tjetër veçse të përpiqesh të krijosh një alibi për të mos realizuar reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është një domosdoshmëri, është një urgjencë. Në rast se reforma zgjedhore do të ishte bërë përpara zgjedhjeve të 8 majit, unë mendoj se edhe disa paqartësi të cilat vijnë për shkak se edhe ndryshimi i kodit u bë me nxitim përpara tre vitesh, do të kishin tërësisht të përcaktuara qartë dhe nuk do të kishim pasur situata të tilla ku mosbesimi apo interpretimi linte vend për një proces konfliktual të paktën përsa i takon paraqitjes mediatike të pozicioneve. Kështu që un besoj se janë të gjitha mundësitë që reformë zgjedhore të fillojë menjëherë, ju e keni parë besoj edhe apelin e faktorit ndërkombëtar.

Përsa i takon çështjes se ndryshimit të kushtetutës, kjo nuk mund të kondicionohet. Ne i mbetemi qëndrimit tonë të mëparshëm ashtu sikurse i mbetemi qëndrimit tonë që ky është një kos problematik, nuk jemi dakord me këtë kod, kemi vërejtjet tona, nuk kemi qenë as atëherë dakord. Megjithatë, demokracia është proces, ne morëm pjesë në zgjedhje edhe me kodin që nuk na pëlqente, por e domosdoshme për momentin, e përsëris edhe një herë tjetër, është miratimi i menjëhershëm i komisionit parlamentar gjithëpërfshirës për realizimin e reformës zgjedhore, miratimi i të gjitha ligjeve me shumicë të cilësuar të cilat presin vetëm miratimin në parlament, zgjedhje e Avokatit të popullit dhe plotësimi i disa institucioneve të tjera, që kërkon edhe angazhimin e opozitës. Mendoj se të gjitha këto janë tërësisht të mjaftueshme që Shqipëria të marri një mesazh pozitiv lidhur me aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat. Ky do të ishte një sukses në fund të fundit për të gjitha forcat politike dhe për të gjithë qytetarët tonë. Mendoj se zgjedhjet e tjera janë tepër larg, pra janë pas dy vitesh. Tani është koha për të bërë reforma, nuk është koha për të bërë fushata.

Z. Meta, a po e shikoni opsionin për t’u rikthyer në qeveri në muajin shtator dhe e dyta, së fundmi janë përmendur shumë emra kandidatësh për Presidentin e Republikës. Cili është komenti juaj në lidhje me kandidatët e përmendur?

Nuk kam asnjë koment për të gjitha këto çështje, prioriteti ynë është riorganizimin i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sa i takon perspektivës së kësaj force politike. Ndërsa lidhur me objektivat përsa i takon sesionit të ri parlamentar janë pikërisht këto që unë përmenda edhe më parë. Sa më shpejt të ngrihet komisioni parlamentar gjithëpërfshirës për realizimin e reformës zgjedhore që të japim përgjigje pozitive të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, miratimi i të gjithë ligjeve që kërkojnë shumë të cilësuar votash, zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe plotësimi i të gjitha institucioneve të tjera të cilat janë ende vakant. Mendoj se realizimi i të gjitha këtyre elementëve brenda dy-tre javëve të para të shtatorit do të na sillte një vlerësim pozitiv për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë.

Ju thatë që nuk keni pasur asnjë kërcënim, por Ministria e Mbrojtjes konfirmon se ju jeni marrë në mbrojtje dhe ka efektivë që po e ruajnë....

Sikurse e përmenda edhe më parë, nuk është detyra ime t’u përgjigjem atyre që krijojnë lajme të tilla. Jemi ende në mesin e verës, po afrohet dhe i nxehti afrikan, mund të kemi edhe shumë çështje të tjera, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të përgjigjem patjetër.

a.q/NOA

KOMENTE
  • Kristian Jeni18:38 - 22 Gusht 2011
    pershendetje sapo e lexova idene e paktit kombetar per integrim,dhe me duket i goditur per momentin qe duhet....gjerat marrin formen duhur kur i prek ne momentin e duhur...keshtu qe jemi ne fazen kur na duhet nje orientim i tille....