Tiranë, 22 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, në një deklaratë për mediat shprehu gatishmërinë e partisë së tij për plotësimin e detyrimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
Meta kërkoi një pakti kombëtar për integrimin me qëllim arritjen e një momenti pozitiv gjatë dy muajve të ardhshëm.
Më tej ai kërkoi që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të ngrihet komisioni për reformën zgjedhore.
“Ne i kemi kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, sepse ato u bënë me një nxitim të pajustifikuar dhe me mungesë të plotë transparence dhe qëndrimi ynë mbetet unik.
Kjo s’do të thotë se duhet të bëhen veprime të nxituara, pasi ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen çdo ditë dhe çdo muaj, ne jemi për ndryshimet kushtetuese, por kjo kërkon një vullnet më të gjerë dhe një kohë më të gjatë, gjithashtu transparencë dhe gjithpërfshirje, ndërsa reforma zgjedhore është më emergjente”, deklaroi Meta.
Sakaq ai theksoi se të kërkosh ndryshimet kushtetuese, nuk është gjë tjetër veçse alibi për të mos nisur puna për reformën zgjedhore.
Meta përsëriti edhe njëherë qëndrimin e LSI-së, duke thënë se, Kodi Zgjedhor është problematik dhe se kjo parti nuk është dakord me të.
Në përfundim ai tha se deri në mbajtjen e zgjedhjeve të radhës, ka kohë dhe se ajo duhet shfrytëzuar për realizimin e reformës zgjedhore.
a.y/NOA