Bulqizë, 22 gusht 2011, NOA/Rid Bulku – Dy ditë pasi dolën nga thellësitë e minierës së Bulqizës ku ishin ngujuar për 27 ditë me radhë në grevë urie, minatorët e Bulqizës janë tubuar para minierës mëngjesin e sotëm në përpjekje për të realizuar kërkesat e tyre.
Minatorët kanë kundërshtuar të nisin punën pa nënshkruar më parë marrëveshjen me kompaninë ACR për rritjen e pagës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierën e kromit.
Grevistët e urisë këmbëngulin se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ata kërkojnë të jetë i pranishëm edhe kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikollaj.
Në Bulqizë ka mbërritur sot edhe administratori i kompanisë austriake ACR Giga Bedineishvili, i cili ka lajmëruar se është gati të plotësojë kërkesën e minatorëve për rritjen e pagës bruto me 20 përqind.
Afro 700 minatorët e minierës së Bulqizës kërcënojnë se do t’i rikthehen grevës së urisë pranë ambienteve të kompanisë në rast se nuk do të nënshkruhet marrëveshja për kërkesat e tyre.
Afati i vendosur nga minatorët është ora 14.00 e të hënës.
Miniera e Bulqizës rishtas është e rrethuar nga policia, e cila po mbikëqyr tubimin e minatorëve.
mit/NOA