English

Rama do të bëhet faktor për zgjedhjen e Presidentit

Nga Kastriot Islami

Ndryshe nga Rama, që pasi dështoi me veprimet radikale dyvjeçare u kërkon tani shqiptarëve të sillen agresivisht si në Angli për të sulmuar biznesin, policinë, institucionet dhe qeverinë, do t’ju kërkoja socialistëve e shqiptarëve ekzaktësisht të kundërtën, pra qasje paqësore dhe ndërtimin e një alternative shprese, si ndaj radikalizmit/obstruksionit të Ramës, ashtu edhe ndaj keqqeverisjes së Berishës, në mënyrë që Shqipëria të mund të fitojë në vjeshtë statusin e vendit kandidat për në BE…

*** Pjesë e kursit të ri duket se do të jenë edhe ndryshimet kushtetuese. Obstruktiviteti në Kuvend ndoshta! Por më të rënda janë thirrjet për veprime të ngjashme me ato në Angli!! Ndërprerja e bojkotit dhe qasja paqësore duhen përshëndetur, kurse projekti për ndryshimet kushtetuese, obstruktviteti eventual në Kuvend dhe akoma më keq thirrjet që populli vetë të ngrihet në revoltë mund ta komprometojnë atë që në nisje. Në këtë rast i vetmi efekt “sukses” për Ramën do të ishte heqja e vëmendjes nga përgjegjësitë për dështimet elektorale. Naivisht mund të konsiderohej “sukses” edhe mosfitimi i statusit të vendit kandidat për në BE, e cila rrezikon të kthehet në një bumerang me efekt negativ për PS.

*** Në rast dështimi edhe të kësaj rruge, do të thuhej se “Rama humbi përsëri përballë Berishës”, por këtë radhë jo duke bojkotuar Kuvendin, por duke qëndruar brenda Kuvendit e bërë kërkesa të parealizueshme. Në një plan më të përgjithshëm do të përforcohej mendimi se me Ramën në krye, PS nuk fiton asnjë betejë, si me politikë të re, si me bojkote, si me grevë urie, si me protesta apo qoftë demonstrata si ajo e 21 Janarit, por as me kursin e ri të shoqëruar me taktika bllokuese në Kuvend. Përfundimisht do të rikonfirmohej se “Rama nuk mund të ndërtojë alternativën e ndryshimit, as me radikalizëm jashtë Kuvendit e as me taktika bllokuese brenda Kuvendit…” dhe se “…Rama nuk i sjell fitoren PS pa bashkim real të së majtës e pa aleatë të besueshëm, duke përqendruar pushtet për veten e klientelën e tij dhe duke shpallur “armiq të brendshëm” apo duke u acaruar me ndërkombëtarët…” Prologu: Si erdhi PD në pushtet në 2005?… Për shkak të veprimeve radikale, çarjes së të djathtës dhe autoritarizmit e përjashtimeve, PD erdhi në zgjedhjet e vitit 2005 e zhveshur nga të gjithë pushtetet: nuk kishte as Bashkinë e Tiranës, as Presidentin e Republikës, as Prokurorinë e Përgjithshme, as Gjykatën Kushtetuese, as kryetarin e Shërbimit Informativ e të tjera e të tjera. Po ashtu, Berisha i humbi të gjitha betejat elektorale në periudhën 1997-2005 dhe ishte krijuar ideja se me Berishën në krye nuk fiton dot e djathta. Ndonëse Berisha aplikoi gjatë të gjithë kohës një strategji veprimesh radikale dhe të bllokimit të institucioneve për të dhënë mesazhin e një krize politike në vend, ai nuk siguroi asnjë sukses e mbështetje dhe të gjitha këto veprime dështuan. Acaroi marrëdhëniet me ndërkombëtarët duke marrë vetëm “shuplaka” prej tyre. Por në përgatitjet për zgjedhjet e 2005-s Berisha, duke pasur edhe avantazhin e përçarjes të së majtës, ndërtoi një platformë veprimesh alternative, ku do të spikasnin: i) pjesëmarrja aktive në kryerjen e reformës zgjedhore; ii) kryerja e një opozite të fortë kuvendore; iii) afrimi i sinqertë i të gjithë “armiqve” që kishte krijuar në 15 vjet; iv) ndërtimi i një koalicioni të sinqertë me aleatët tradicionalë, v) ndërtimi i marrëdhënieve të besimit reciprok me ndërkombëtarët. Për rrjedhojë, PD fitoi në zgjedhjet e vitit 2005, natyrisht edhe me ndihmën e së majtës së përçarë. 1. Rama imiton “Berishën e 1997-2005” dhe përsërit e thellon gabimet e tij…. Rama pas 2009-s tentoi të imitonte “Berishën e 1997-2005” me përçarjen e së majtës, me veprimet radikale, me krijimin e alibive të krizave, me marrëdhëniet e paqarta me aleatët, me spastrimet në parti e shpalljen e armiqve, me mungesën e një platforme alternative të shpresës, me keqësimin e marrëdhënieve më ndërkombëtarët, e të tjera. Së fundmi, megjithëse Rama deklaroi se do të përmbyllë bojkotin e do të nisë kursin e ri politik (që nuk dihet ende se ku ndryshon nga politika e re), me projektin për reformën kushtetuese, me kakofoninë e aleatëve për veprime të forta dhe zgjedhje të parakohshme, me spastrimet në Kongresin e nëntorit duket se ai ende nuk ka reflektuar sinqerisht e plotësisht për një ndryshim të vërtetë në funksion të ndërtimit të alternativës së fitores në 2013. Mbizotëron perceptimi i përgjithshëm se nën drejtimin e Ramës “PS as nuk i fiton dot votat e nevojshme e nuk i mbron dot ato”. PS i ngjan një anijeje, ku secili përpiqet të zgjidhë individualisht problemin personal të rikandidimit në 2013, duke qenë i detyruar të rrijë në rresht apo të heshtë, por pa qenë i angazhuar/i motivuar për fitoren e PS, sepse i vetmi parametër mbijetese politike mbetet marrëdhënia klienteliste me Ramën. 2. Maxhoranca qartas e haptas i ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese… Rama duke kërkuar të imponojë ndryshimet kushtetuese përmes një taktike blofuese nuk prodhon dot marrëdhënie besimi e bashkëpunimi reciprok. Kjo është arsyeja që të gjitha segmentet e maxhorancës e kanë kundërshtuar haptas kërkesën për ndryshimet kushtetuese. Maxhoranca i ka konsideruar ato një veprim për të justifikuar humbjen e Ramës në zgjedhjet e fundit vendore dhe përpjekje të tij për të gjetur një mekanizëm të ri bllokues, që thellon krizën politike. Maxhoranca nuk duket e gatshme për të diskutuar për ndryshimet kushtetuese, aq më tepër që në themel të të gjitha këtyre ndryshimeve PS duket se do të propozojë një mënyrë të ndryshme nga ajo aktuale për zgjedhjen e Presidentit. Ideja e nxjerrë për organizimin e një referendumi në rast se maxhoranca nuk pranon propozimet e PS për ndryshime kushtetuese, duket një presion foshnjor pa asnjë efekt. 3. Ndërkombëtarët duket se do të jenë së paku indiferentë lidhur me ndryshimet kushtetuese… Në analizën racionale të faktorit ndërkombëtar nuk duket se rezulton ndonjë përfundim që ngërçi politik mund të zgjidhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Këtë propozim e kanë dëgjuar nga Rama edhe para humbjes së Bashkisë së Tiranës dhe, duke mos qenë aspak naivë, janë shprehur se “..nuk mund të ndërhyjnë në çështjet e brendshme…”, pra nuk mund të bëhen pjesë e taktikave politike që aplikojnë politikanët shqiptarë sa herë humbin terren dhe kërkojnë ndihmën e tyre për të rritur presionin ndaj kundërshtarit. Aq më tepër shqetësohen kur pas çdo taktike politike blofuese fshihen synime për të thelluar krizën aktuale politike apo penguar integrimin. Për rrjedhojë, ndërkombëtarët minimalisht duket se do të qëndrojnë indiferentë për sa u përket ndryshimeve kushtetuese. E thënë më shkoqur, duket e pamundur që opozita të fitojë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për të bërë presion mbi maxhorancën me ndryshimet kushtetuese apo për t’i përdorur ato si alibi për të fajësuar maxhorancën për mosfitimin e statusit të vendit kandidat. 4. Rama nuk ka reflektuar ndaj tri humbjeve elektorale dhe gabimeve në drejtimin e PS… Rama nuk ka lexuar ende drejtë e saktësisht as keqmenaxhimin e situatës për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2007, as humbjen në zgjedhjet e vitit 2009, as rezultatin e zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe as nuk ka reflektuar në mënyrë të sinqertë ndaj të gjitha veprimeve të gabuara të tij radikale (bojkot, grevë urie, protesta e manifestime të lodhshme, deri te demonstrata e 21 janarit) apo mungesës së vizionit e të mënyrës së drejtimit (përçarje e së majtës, marrëdhënie të paqarta me aleatët, klimë përjashtimesh e demotivuese në PS, mungesë programi, paralizë e forumeve të FRESSH, grave dhe të Partisë) që përbëjnë disa nga arsyet themelore të humbjes edhe të zgjedhjeve të 8 majit 2011 në Tiranë (së paku për Këshillin Bashkiak, këshillat minibashkiakë dhe kryetarët e minibashkive) dhe në shkallë kombëtare (aleanca qeverisëse ka fituar në shkallë kombëtare mbi 140 mijë vota më shumë se aleanca opozitare), ku për me tepër roli dhe përgjegjësia e Ramës janë direkte përkatësisht si kandidat për kryetar Bashkie dhe si kryetar i PS. “Pendesa” për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 nuk ka lidhje dhe nuk mund të ezaurojë nevojën për pendesë/reflektim të sinqertë për humbjet elektorale dhe keqdrejtimin e PS gjatë 6 vjetëve dhe as nuk mund të ketë lidhje me ndërprerjen e bojkotit apo aplikimin e një qasjeje paqësore…. 5. Çfarë synon Rama me “kursin e ri politik”? Rama me sa duket kërkon të maskojë qëllimet e vjetra, duke ndërprerë bojkotin dhe përdorur njëkohësisht taktika bllokuese e obstruktive brenda Kuvendit. Në këtë rast, beteja politike opozitare do të zhvendosej në Kuvend (që duhet përshëndetur), ndërkohë që ngërçi politik do të mbetej dhe çështja e fitimit të statusit të vendit kandidat nuk do të avanconte. Të vetmet “arritje të Ramës” do të ishin i) shmangia e tij nga përgjegjësitë, ii) realizimi i spastrimeve të të gjithë kundërshtarëve nga forumet drejtuese, iii) afrimi, forcimi e garantimi i klientelës së tij në nivelet drejtuese të PS dhe iv) sigurimi i “argumenteve” për të fajësuar maxhorancën për mosfitimin e statusit të vendit kandidat. 6. Përse mund të dështojë projekti i “amendamenteve kushtetuese”? Shtrohet pyetja: Përse do të dështonte projekti i “amendamenteve kushtetuese”? Në themel të kësaj taktike politike qëndrojnë synime e kundërshti politike të palëve pa pikëtakime: a) Rama së pari synon të jetë faktor në zgjedhjen e Presidentit. Rama ka vendosur me konsensus me Berishën në 2008 për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Nga ana tjetër, thirrjet opozitare për Topin si kandidat të PS kanë komprometuar synimin për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Po ashtu, ndryshimi kushtetues i vitit 2008 për zgjedhjen e presidentit nuk është aplikuar ende asnjëherë deri tani. b) Maxhoranca e akuzon po ashtu Ramën se ka për qëllim të sigurojë një mekanizëm të ri për thellimin e krizës politike, e cila eventualisht do të çonte në zgjedhje të parakohshme para zgjedhjes së Presidentit të ri ose do t’i diktonte maxhorancës kandidatin e saj për President. c) Maxhoranca e akuzon Ramën se ka për qëllim të pengojë procesin e fitimit të statusit të vendit kandidat, duke menduar se “përmes thellimit të krizës politike nga mospranimi i ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga PS” shqiptarët e ndërkombëtarët do të fajësonin vetëm maxhorancën. d) Analistë e medias jo larg PS kanë nxjerrë në shesh një synim me sa duket të kamufluar për të përsëritur me zgjedhjen e Presidentit “skenarin e Kosovës”me Behgjet Pacollin; Kjo duket një analizë naive dhe mediokre që me siguri do të rezultonte dështake. e) Rama përmes kësaj taktike blofuese kërkon gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia e tij direkte për rezultatet në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe nga debatet për dështimin e taktikës së veprimeve radikaledyvjeçare, si dhe drejtësia e paralajmërimeve të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. f) Rama përmes kësaj taktike kërkon të zhvendosë vëmendjen nga kërkesat e drejta të aleatëve lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2013. Aleatët presin nga PS ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe/ose caktimin e një platforme të suksesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme dhe jo ndryshimet kushtetuese. g) Rama përmes kësaj taktike kërkon të zhvendosë vëmendjen nga debati për bashkimin e së majtës, duke shpikur njëkohësisht teoritë e “bashkimit me popullin”. h) Rama përmes kësaj taktike blofuese kërkon po ashtu të maskojë spastrimet e radhës në forumet drejtuese të PS. Nuk është më sekret paralajmërimi i Ramës për spastrimin e radhës të njerëzve me eksperiencë në PS e veçanërisht të kundërshtarëve dhe promovimin në majë të piramidës të klientelës së tij. Epilogu: A do të vijë PS në pushtet në 2013?… Rama ka artikuluar deri tani: i) “pendesën” për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe ii) fillimin e një “kursi të ri politik”, ku bëjnë pjesë edhe ndryshimet kushtetuese. Që ky “kurs i ri politik” të mos komprometohet që në nisje, socialistët duhet t’i japin përgjigje të sinqertë pyetjeve të mëposhtme: 1) A mund t’u shmanget Rama përgjegjësive kur partia që drejton i) nuk ka më organizatë rinore funksionale, ii) nuk ka më organizate të gruas socialiste funksionale, iii) nuk ka më sekretariat funksional, iv) nuk ka më kryesi funksionale; por v) ka vetëm një asamble formale, që dëgjon fjalimet e radhës së Ramës dhe vi) një kongres me dyer të mbyllura që duartroket dhe së shpejti rrezikon të kthehet në një gjykatë speciale për të dënuar armiqtë e brendshëm. 2) A mund të fitojë e majta zgjedhjet në vitin 2013: i) kur e majta është me e përçarë se kurrë; ii) ) kur asnjë nga aleatët e saj nuk e ka aspak të qartë se si do të mbijetojë e kontribuojë në zgjedhjet e vitit 2013; iii) kur përveç njerëzve të klientelës së Ramës, askush tjetër në PS nuk ndihet as i sigurt dhe as i motivuar; iv) kur për t’i mbyllur gojën të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, është ngritur dhe funksionon një celulë për goditjet banale, shantazhe e kërcënime deri kriminale në media e internet, v) kur hierarkia e vlerave dhe kontributeve është zëvendësuar me klientelizimin; vi) kur bashkëjetesa e brezave është zëvendësuar me spastrimet e njerëzve me eksperiencë dhe afrimin e jesmenëve; vii) kur vetë Rama nuk është prezent në Kuvend dhe drejton opozitën me SMS; viii) kur PS nuk ka ende prej 6 vitesh program dhe plan veprimi alternativ për qeverisjen e vendit; ix) kur PS me veprimet e gabuara e të dyshimta lejon të krijohet perceptimi se është kundër fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE; x) kur sjelljet me ndërkombëtarët Rama i ka të komprometuara, të pasinqerta dhe joprofesionale e deri qesharake (rasti i Tanja Fajon).

*** Vetë Rama ende nuk ka reflektuar realisht dhe prandaj nuk ka përgjigje për këto pyetje, sepse i) “Rama 2005-2011” vazhdon të adhurojë modelin e “Berishës së viteve 1992-1996” që edhe ai vetë e ka abandonuar dhe ii) “Rama 2005-2011” po bën apo thellon gabimet e “Berishës të viteve 1997-2005” dhe që ai vetë i konsideron të gabuara e nuk i përsërit. Nëse vazhdohet në këtë rrugë jo vetëm PS nuk fiton në 2013, por nuk ka gjasa që edhe PD të mund t’i humbasë ato, sepse Rama nuk ia jep Berishës këtë mundësi, duke vazhduar të ecë në rrugën e gabuar që ka shkelur Berisha më parë, por të cilën Berisha e abandonoi në 2005-n dhe po përpiqet ta ndryshojë në vijim. Ky lloj imitimi nuk mund të jetë “kurs i ri politik” dhe, po qe se aplikohet ky lloj kursi, atëherë dështimi do të ishte shumë probabël, gjë të cilën me “këshillat” e mia po mundohem e do të përpiqem ta shmang, sepse realisht nuk e dëshiroj…

KOMENTE