Tiranë, 22 Gusht 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Komunën e Shalës përfundimisht e ka fituar Partia Socialiste.
Për kryetar komune në Shalë kandiduan Balë Vuksani për koalicionin opozitar Aleanca për të Ardhmen dhe Dedë Tonaj për koalicionin qeverisës Aleanca për Qytetarin.
Ndërsa në zgjedhjet e 8 majit, Balë Vuksani i kishte dalë i humbur me 572 vota kundrejt 692 të Tonajt, këtë radhë ka pasur një përmbysje të rezultatit.
Në zgjedhjet e ribëra dje, rezultoi fitues kandidati i Aleancës për të Ardhmen, socialisti Vuksani me 644 vota ose dy më shumë se rivali i tij demokrat.
Numërimi i votave u bë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi në Shalë u shënuan incidente mes komisionerësh.
Me përfundimin e zgjedhjeve në Shalë, përmbyllet tërësisht procesi zgjedhor vendor në Shqipëri dhe pritet që KQZ të shpallë zyrtarisht rezultatet dhe të analizojë të gjitha të dhënat e detajuara për çdo bashki dhe komunë si dhe të zyrtarizojë pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
a.q/e.t/NOA