Hagë, 22 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Gjykata Ndërkombëtare e Hagës po zhvillon në këto momente procesin e rigjykimit të pjesshëm për krime lufte, kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Në seancën e sotme po merret në pyetje ish-ushtari i UÇK-së Shefqet Kabashi, i cili refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorit të Hagës, duke i cilësuar hetuesit ndërkombëtarë si më të ligj se serbët.
Kabashi, i arrestuar për shpërfillje të gjykatës pas refuzimit për të dëshmuar në gjyqin kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj deklaroi se ai nuk kuptonte se pse ishte arrestuar.
Kabashi iu përgjigj prokurorit të çështjes se “nuk ka patur asnjë burg në Jabllanicë, dhe se në kazermat e kësaj zone nuk ka patur të burgosur”.
I pyetur për disa dokumente që mbanin firmën e tij dhe për një skicë të vizatuar nga ai që Gjykata e paraqiti në ekran, Live, ish-luftëtari i UÇK-së Shefqet Kabashi theksoi se ai nuk mbante mend se ç’farë kishte nënshkruar, pasi kishte hedhur firmën mbi 20 dokumente.
E kur prokurori Roxhers e pyeti mbi një vizatim të quajtur me gërmën H, të cilën ai e cilësoi si një vend të burgosurish, Kabashi deklaroi se vendi ku shkruhej qendër ndalimi nuk ishte shkrimi i tij.
“Ndoshta këtë e ka shkruar ndonjë nga punonjësit tuaj”, nënvizoi Kabashi, pasi tek germa H nuk ka patur qendër ndalimi.
Ish-ushtari i UÇK-së i akuzoi hetuesit e Hagës se kanë bërë shumë gabime me dëshmitë dhe se nuk mund të ndryshojnë bindjen e tij për ngjarjet.
“Kryehetuesi ka bërë shumë gabime, ka ngatërruar dëshmitë”, tha Kabashi, duke aluduar se pranimi i asaj që e pyeste prokurori ishte si të pranonte se kishte vrarë ai vetë Barack Obamën kur ishte me pushime, ndërsa presidenti amerikan është shëndoshë si molla.
“Ju s’mund të ndryshoni bindjen time”, tha ai, duke i kërkuar gjykatës që ta thërriste si dëshmitar për 200 viktimat e burgut të Dubravës të vrarë nga serbët, ku ai kishte qenë vetë dëshmitar okular.
Kabashi duke refuzuar të dëshmonte për pyetjet që i drejtonte prokurori akuzoi gjykatën se në fakt duhen gjykuar krimet që hetuesit e saj kanë bërë, duke i krahasuar ata më të ligj se serbët vetë.
Ndërkohë marrja në pyetje e Shefqet Kabashi për llogari të rigjykimit të pjesshëm të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj vijon me dyer të mbyllura.
mit/NOA